Gjatë ditës së djemshme, mediat raportuan se në rastin ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka urdhëruar Policinë e Kosovës (PK) të sigurojë informacione në lidhje me autorizimet dhe kapacitetet e saja, ndër të tjera, për të zbatuar kushtet që kanë të bëjnë me lirimin (e mundshëm) të përkohshëm të tre të lartpërmendurve.
Megjithatë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e deputetëve të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje lidhur me Gjykatën Speciale.
Ishte deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila pyeti Mehmetin nëse Policia e Kosovës është e gatshme t’iu përgjigjet Dhomave të Specializuara për kërkesat për mbrojtje në liri të personave të akuzuar.
“Besoj që opinioni publik tashmë e din që neve na u janë bërë kërkesa nga avokatët mbrojtës dhe ne i kemi adresuar kërkesat nga avokatët mbrojtës. Ndërsa pyetjet rreth Dhomave të Specializuara kisha pasur dëshirë që të na kurseni neve dhe t’ua bëni dhomave të specializuara…
Unë u përgjigja që avokatët mbrojtës kanë bërë kërkesa për kushtet për lirim me kusht. Ne i kemi dërgu kapacitetin, aftësinë tonë dhe mundësinë tonë për me siguru lirim me kusht. Ndërsa sa i përket çështjes rreth Dhomave të Specializuara kisha pas dëshirë me na kursy që atë pyetje me ua bë Dhomave të Specializuara dhe jo neve, për shkak se nuk mund të përgjigjemi në këtë pyetje, me keqardhje”, tha Mehmeti.
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, mendon se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet teknike dhe humane për të përmbushur çfarëdo kërkese e cila mund të vijë nga Dhomat e Specializuara.
“Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet teknike dhe humane për të përmbushur çfarëdo kërkese e cila mund të vijë nga Dhomat e Specializuara, sa i përket të akuzuarave për t’i paraqitur ata para kësaj gjykate, në çfarëdo kohe dhe itinerari të caktuar”, tha Shala për GazetaBlic.
I të njëjtit mendim, është edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, pararendësi i Samedin Mehmetit, Rashit Qalaj. Ky i fundit, në një prononcim për GazetaBlic, tha se përkundër faktit që nuk i din saktësisht kërkesat e Dhomave, Policia jonë gëzon kapacitetet e plota për të siguruar qëndrimin e tyre këtu.
“Edhe pse nuk e di saktësisht kërkesën e tyre, pra mund ta kenë ndonjë specifike, mendoj që në aspektin njerëzor, sa i përket fuqisë njerëzore, profesionalizmit, integritetit, mendoj që Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme edhe nga aspekti logjistik, mirëpo nuk e di nëse ka ndonjë të tillë specifike, përndryshe, Policia mund t’i sigurojë siguri atyre”, tha ndër të tjera Qalaj për GazetaBlic.
/GazetaBlic/


