Analisti politik, Visar Ymeri, ka komentuar manipulimet me votat në zgjedhjet e 28 dhjetorit, teksa ka thënë se duhet të hetohen të gjithë përfshirët e që hetimi duhet të shkojë deri te kandidatët për deputetë.
“Mirë që shkuam në rinumërim dhe mirë që u zbuluan këto raste sepse ka mundur të mos ketë ankesa dhe të mos dihet fare që ka pasur manipulime, disa po thonë ka pasur gjithmonë, unë nuk e di sa ka pasur se kam qenë në politikë, sidomos në këtë masë kaq të madhe. Megjithatë, ata që kanë qenë të përfshirë në këtë duhet të hetohen e të dënohen ata që zihen fajtorë, mendoj se hetimi duhet të shkojë deri te ata që kanë profil politik dhe përfituesit e fondeve apo kandidatët për deputetë sepse kjo ka qenë një ndërmarrje jashtëzakonisht problematike dhe e rrezikshme për kredibilitetin e procesit zgjedhor, megjithatë, rinumërimi dhe vendosja në vend e votës së qytetarëve, tek ata për të cilët ka shkuar, e ka përmirësuar procesin, por konsideroj se KQZ dhe partitë politike duhet të jenë më të përgjegjshëm karshi votës qytetare sepse me veprime të tilla po e rrezikojnë dhe dëmtojnë procesin dhe kredibilitetin e zgjedhjeve”, ka thënë ai në një intervistë për Gazeta Blic.
Ymeri ka theksuar se në këtë manipulim janë përfshirë të gjitha partitë, ku komisionerët e tyre janë pajtuar që të manipulojnë rezultatin.
“Pra e kemi parë që në këtë manipulim të votës kanë marrë pjesë të gjitha partitë, kush më shumë e kush më pak, nuk ka rëndësi niveli i votës, por që të gjitha kanë qenë të përfshira, komisionerët e tyre kanë pasur dakordancë dhe e kanë lejuar një gjë në komuna të caktuara”, ka vlerësuar ai.
Analisti po ashtu ka folur për vendimin e KQZ-së për të mos e certifikuar rezultatin e zgjedhjeve për deputetët e Listës Serbe, për çka ka thënë se është sinjal i rrezikshëm dhe i dëmshëm për ndërkombëtarët, se Kushtetuta e ligjet nuk respektohen kur të duan dhe se nuk respektohen të drejtat e komuniteteve në Kosovë.
“Ka qenë një vendim jashtëzakonisht problematik dhe këtu është një nga detyrat dhe testet ku KQZ ka vepruar shumë keq sepse nuk mund të arsyetohet që të certifikosh rezultatin në mbarë vendin dhe të mos e certifikosh për një parti, meqë këtu po kërkohet certifikimi i rezultateve dhe nuk ka ndonjë vërejtje serioze të materializuar, karshi votave të një subjekti politik, nuk mund të mos ua certifikosh kandidatët vetëm pse nuk të pëlqen politika e atij subjekti politik, pa çka që shumica në Kosovë nuk pajtohen me qëndrimet politike të Listës Serbe, kjo nuk ia lejon KQZ-së e as partive politike që t’ia mohojnë të drejtën e përfaqësimit dhe garimit, kur i marrin votat nga qytetarët e komunitetit serb në Kosovë dhe me këtë mendoj se është një dëm jashtëzakonisht i madh që po i bëhet Kosovës sepse po dërgojmë sinjale vazhdimisht nga niveli institucional KQZ-ja por edhe partitë politike, më së shumti në këtë rast Vetëvendosje, që ne pavarësisht ligjeve dhe Kushtetutës dhe ligjeve pozitive në Kosovë, kurdo që të mundemi, nuk i respektojmë të drejtat e komuniteteve dhe ky mendoj se është një sinjal jashtëzakonisht i rrezikshëm që i dërgohet partnerëve tanë ndërkombëtarë, reagimi i të cilëve tregon se janë të shqetësuar dhe mospajtues me një veprim të tillë”, ka deklaruar Visar Ymeri./Gazeta Blic/


