Trepça dhe Bashkimi do të ballafaqohen nesër mbrëma në ‘Minatori’ në finalen e gjashtë të ‘Play-off-it’.
Seria finale është 3:2 për ‘Xehetarët’ dhe nëse fiton Trepça, atëherë do të mbrojë titullin e kampionit dhe festa do të jetë e madhe në Mitrovicë.
Në anën tjetër, portokallezinjtë luftojnë për fitore për të barazuar serinë finale në 3:3, në mënyrë që finalja vendimtare të jetë të dielën në Prizren.
Basketbollisti shumë i dalluar tek Bashkimi, kapiteni Altin Morina tha për ‘GazetaBlic Sport’ se do të tentojnë të japin më të mirën e tyre, duke e vazhduar paraqitjen e mirë që kishin në ndeshjen e fundit.
“Në Prizren patëm një paraqitje të mirë, duke marrë parasysh mbështetjen nga tifozët më të mirë në Kosovë, “Arpaxhikët”, të cilët na kanë përkrahur jashtëzakonisht gjatë gjithë sezonit. Në të dyja ndeshjet në Mitrovicë nuk kemi pasur problem me organizimin e tyre, në të dyja ndeshjet kemi pasur super paraqitje dhe ndoshta e kemi kontrolluar ndeshjen gjatë gjithë kohës, por këto janë finale dhe detajet në fund vendosin fituesin“, tha fillimisht Morina.
Tutje, ai pati një falënderim të veçantë për tifozët dhe qytetin e Prizrenit, po ashtu për drejtuesit e klubit.
“Një falënderim jashtëzakonisht i madh shkon për të gjithë qytetin e Prizrenit ku gjatë gjithë kësaj kohe ata kanë qenë lojtari ynë i 6-të si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Po ashtu edhe drejtuesit e klubit në krye me Kushtrim Kabashin, i cili për një kohë të shkurtër ka revolucionarizuar basketbollin kosovar“, përfundoi Morina.

/GazetaBlic Sport/


