Lajme

Morina: Asnjë shtet serioz, nuk i dërgon pacientët e vet për shërim jashtë vendit!

04/24/2024 09:17
nga:N K

Themeluesi i neurokirugjisë Kosovare dhe ish-Drejtori i Klinikës Neurokirurgjike, Arsim Morina, në një prononcim për Gazeta Blic, ka treguar lidhur me operimet në Klinikën Neurokirugjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Morina në lidhje me dërgimin e pacientëve të Kosovës jashtë vendit, ka potencuar se një shtet serioz i shëron pacientët në shtetin e vet dhe jo në vende tjera.

“Qëndrimi im në lidhje me dërgimin e pacientëve jashtë vendit ka qenë kundër çdo herë. Nëse mungon ekspertiza duhet të edukohen  dhe të ofrohen kushtet. Asnjë shtet serioz nuk i dërgon pacientët e vet për shërim jashtë vendit”, tha ai.

Morina ka potencuar se kohën sa ishte ai drejtor i kësaj klinike, kishte kërkuar ndërprerjen e dërgimit të pacientëve jashtë vendit.

“Vazhdimisht kam kërkuar si drejtor i kësaj klinike që të ndërpritet dërgimi i pacientëve jashtë vendit. Në dërgesën e pacientëve jashtë vendit bëhen shumë shpenzime, por vonesën e trajtimit mund ta pasojnë me jetë pacientët e Kosovës”, tha tutje ai.

Morina se këto intervenime nuk janë duke u kryer tash e dy vite në Klinikën e Neurokirurgjisë në Kosovë, teksa ka folur edhe për enët e gjakut dhe rrezikshmërinë e tyre ndaj jetës së pacientëve.

“Anomalitë të enëve të gjakut janë malformimet apo keqformimet arteriovenoze, të cilat kur ka gjakderdhje mund të jenë shumë të rrezikshme për jetën e pacientëve dhe duhet sa më parë të trajtohen. Këto raste, përveç kostos, kanë rrezikshmëri të lartë për transportin e pacientëve jashtë vendit. Pacientët me patologji cerebrovaskulare siç janë Aneurysmat dhe Malformimet arteriovenoze dhe tumoret e bazë, që dy vite nuk operohen nē QKUK”, përfundoi Morina për GazetaBlic.