Lajme

Mori pjesë në grupe terroriste, dënohet me mbi katër vjet burg

03/23/2022 16:43
nga:Genita C

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit N.L. për shkak të veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Gjykata bën të ditur se i akuzuari N.L. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër vjet e gjashtë muaj, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01 Gusht 2018 e tutje, por, jo më shumë se dënimi i shqiptuar, i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, njofton Klankosova.tv.

“Konform nenit 367 paragrafi 7 të KPPK-së të akuzuarit N.L i është vazhduar masa e paraburgimit e cila do të zgjasë derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim” thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve, në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.