Euro2024

Momentalisht në pushime, cila do të jetë e ardhmja e trajnerit Sylvinho?

06/29/2024 12:36
nga:Mergim Rreci

Trajneri ka nisur pushimet, ndërsa mediat spanjolle dhe portugeze flasin për oferta të tjera nga klube, që tashmë janë në tavolinën e teknikut.

Do të qëndrojë, apo do të largohet? Duhet të rrijë, apo të ikë? E ardhmja e Silvinjo në pankinën e kombëtares së Shqipërisë ka edhe edhe shumë pikëpyetje dhe të panjohura të tjera, por të gjitha këto pritet të marrin përgjigje në javët e ardhshme.

Përpara nisjes për në Gjermani për Euro 2024, tekniku nuk pranoi të firmosë rinovimin që presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i vendosi në tavolinë.

Kushtet e kontratës nuk kanë ndryshuar edhe pas eliminimit të Kombëtares së Shqipërisë në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian, por Silvinjo ka marrë sërish kohë. Në pushimet që ka nisur do të ketë mundësi të peshojë mirë ofertën e FSHF, por edhe të tjerave që duket se ka në dorë nga skuadra klubesh.

Në fillim ishte e përditëshmja spanjolle “AS”, e cila në një shkrim të saj zbuloi se trajneri i Shqipërisë ka ngjallur interesin e disa klubeve europianë, përfshirë edhe spanjollë, ndërkohë edhe në Portugali, kanë nisur të flasin për një ofertë të një klubi të Liga NOS, që tashmë Sylvinho e ka në dorë.

Tekniku ka vendosur të mos nxitohet, ndërsa do të diskutojë edhe me ndihmësit e tij Zabaleta dhe Doriva përpara se të vendosë për të ardhmen. Kështu, nëse do të flisnim me gjuhën e futbollit, tani topi është në fushën e Sylvinho.