Lajme

Moment historik në Himarë: Shqiptari bëhet rekordmen botëror

12/08/2025 07:31
nga:G B

Agim Agushi ka hyrë zyrtarisht në Librin e Rekordeve Guinness, duke vendosur një rekord krejtësisht të veçantë, ai arriti të xhonglojë me kokë një top futbolli ndërkohë që veshi 14 bluza radhazi.

Certifikata zyrtare nga Guinness World Records e konfirmon tashmë këtë arritje, e cila u regjistrua më 2 maj 2025 në Himarë, gjatë ceremonisë festive të çeljes së sezonit turistik, shkruan Euronews.al.

Performanca e Agushit tërhoqi vëmendjen e dhjetëra qytetarëve dhe turistëve të pranishëm, të cilët u bënë dëshmitarë të një momenti historik për qytetin bregdetar. Me një teknikë mbresëlënëse, durim të jashtëzakonshëm dhe kontroll të përsosur të topit, ai përballoi sfidën e pazakontë të mbajtjes së topit me kokë duke veshur një numër rekord bluzash.

Ngjarja u monitorua në çdo detaj nga përfaqësues zyrtarë të Guinness World Records, të cilët verifikuan performancën dhe e shpallën Agim Agushin rekordmen botëror.

Ky sukses jo vetëm e vendos Agushin mes emrave të regjistruar në librin e rekordeve, por e ngjit edhe Himarën në hartën e ngjarjeve të veçanta ndërkombëtare, duke i dhënë një vlerë të shtuar sezonit turistik të këtij viti.