Lajme

Molliqaj thumbon Kurtin: Në regjimet totalitare, qytetari është gjithmonë faj!

09/01/2021 16:02
nga:M K

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka hedhur kritika ndaj kryeministrit Kurti lidhur me menaxhimin e pandemisë.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Molliqaj ka thënë se në regjimet totalitare faj është gjithmonë qytetari, duke aluduar në konferencën e para pak ditëve të të parit të ekzekutivit dhe ministrit të shëndetësisë, të cilët fajin për rritjen e rasteve të reja ua lanë decidivisht qytetarëve, përcjell GazetaBlic.

Më poshtë edhe postimi i plotë.

Ndëshkimi si politikë
Reagimi ndaj krizave është një mënyrë për t’i lexuar pushtetet. Cili është rrëfimi që mban në këmbë vendimet e Qeverisë dhe sjelljen e policisë?
Qeveria Kurti vonoi mbi dy muaj për ta nënshkuar kontratën për vaksina, administroi dobët ato dhe mungoi plani për vaksinim masiv e mobil. Nuk e bëri minumumin e domosdoshëm, e tash na thonë është rritë numri, po rrezikohet jeta e qytetarit i cili duhet gjobitur për pakujdesi. Kjo është përgjigja?
Në një ditë 4000 dënime për qytetarët – e vjedhur nga e kaluara, apo jo? Dhe cila është rruga që Kurti ka zgjedhur për ta luftuar varfërinë në ndërkohë që po gjobitë? Qytetari, që “nuk është i varfër por i vjedhur” po e merr edhe koston ekonomike edhe vulën e injorancës. Një mendësi e tillë elitare dhe patronizuese, çdo here ka në shënjestër shoqërinë. Fajin çdo herë e ke ti.
Ngadalë, por sigurtë qytetarët po bëhen subjekte të regjimit të ri. Ka një marrëdhënie të re këtu. Faji i qytetarit është i brendashkruar, dhe është e kotë të kërkosh prova ose shfajësime. Ke faj sepse je subjekt i pushtetit. Është kjo logjikë që e bën të pamendueshme çfarëdo kritike. Në regjimet totalitare çdo herë qytetari është në faj, edhe kur (ende) nuk e ka bërë. Shtrirja e kontrollit zakonisht bëhet në fushën e potencialitetit.
Pushteti i Kurtit nuk motivohet nga mirëqenia e qytetarëve, pëndryshe do ta kishte për politikë tatimin progresiv, për pasojë rishpërndarjen, e për vision bashkëpunimin rajonal. Pushteti i tij ka rënë në brendin e tij. Ai ka zgjedhur teknikat disiplinuese kur bëhet fjalë për qytetarin, përmes gjobave, dhe zgjërimin e kontrollit kur bëhet fjalë për “armikun” e tij, përmes ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ta refuzojmë logjikën që ka për shenjues anti-korrupsionin, e që ka për efekt përndjekjen. Riprodhimi i kushteve që e mbajnë Kurtin në pushtet mund t’i ketë disa udhë, por thelbi ideologjik mbetet po ai. Instrumentalizimi i shtetit për t’i nxerrur përfitimet do të jetë paradigmë veprimi.

/GazetaBlic/