Për miratimin e ligjit të KPM-së, ka reaguar edhe kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj i cili tha se sulmi ndaj mediave ka qenë sistematik që katër vjet në pushtet të Qeverisë Kurti, raporton GazetaBlic.
Molliqaj përmes një shkrimi në “Facebook” thekson se, liria që gëzohej dikur është vënë në rrezik çdo herë e më shumë.
“Sulmi ndaj mediave ka qenë sistematik. Në gati 4 vite qeverisje kemi fyerje, shantazhe, kërcënime, bastisje e tentim për të mbyllur media. Liria që gëzohej dikur është vënë në rrezik çdo herë e më shumë”, shkruan ai.
“Goditja e radhës është ligji i ri për Komisionin e Pavarur të Mediave. Ligji i ri po mundëson efektivisht kapjen e KPM-së nga pushteti e kontrollin përmes aparaturave të saja, disa të reja. Shembull janë mediat online; tashmë po kërkohet krijimi i regjistrave të Komisionit dhe monitorimi rigoroz i mediave online. Shkelësit e rregullores së re mund të përballen me deri në 40,000 euro gjoba. Efektivisht, bankrotim gjerë në mbyllje”.
Madje sipas Molliqajt, modeli qeverisës është nënshtrimi sidomos aty ku s’arrinë lehtësisht ta bëjë atë.
“Modeli qeverisës me tendenca autoritare ka për qëllim nënshtrimin, sidomos aty ku s’arrinë lehtësisht ta bëjë atë. Mediat në Kosovë kanë qenë në front të shpërfaqjes së keqqeverisjes, korrupsionit e keqpërdorimeve nga ky pushtet. Kjo liri e veprimit në thelb demokratik po cënohet seriozisht nga ligji i ri i KPM-së”, përfundon reagimi i Molliqajt.