Lajme

Molliqaj: Të gjitha bordet e agjencive dhe ndërmarrjeve publike i kontrollon Qeveria Kurti me njerëz të vet

09/29/2022 22:48
nga:Astrit Gashi

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka deklaruar se të gjitha bordet e agjencive dhe ndërmarrjeve publike i kontrollon Qeveria Kurti me njerëz të vet.

Molliqaj në Tëvë1, duke folur për krizën energjetike tha se remontet në termocentrale janë bërë me vonesë ose gabim, por sipas tij, Qeveria ka vendosur që më e rëndësishme është me kontrollu mos ndokush po vjedh e në fund po vjedhin vet.

“Remontet i ka bërë ose me vonesë ose gabim. Dhe a e dini pse? Jo pse s’ka menduar që duhet me i bë remontet, as pse do me i bë remontet e blloqeve, por pse ka vendosur që më e rëndësishme është me kontrollu mos ndokush po vjedh, e në fund po vjedhin vet këta. Pra mos ndokush po vjedh e t’i ndalin gjitha prokurimet”, ka thënë ai.

Në lidhje me mospunën e ekzekutivit, Molliqaj tha se Qeveria Kurti po kontrollon ndërmarrjet publike përmes bordeve politike, të cilat sipas Molliqajt nuk janë duke performuar mirë.

“Krejt bordet e agjencive dhe ndërmarrjeve publike të rëndësishme tashmë i kontrollon Qeveria me njerëz të vet drejtpërdrejt. Nuk ka asnjë ndërmarrje publike që është duke performuar dukshëm më mirë se përpara, shumica janë duke rënë më keq. Jo vetëm për shkak të krizës, por elementi i përbashkët i krejt këtyre se s’kanë prokurim”, ka deklaruar ai.

Molliqa për Qeverinë Kurti tha se “duke u munduar me ndal vjedhjen, këta janë duke e ndalur jetën”.