Lajme

Molliqaj reagon pas arrestimit: Dhuna policore vjen prej një sistemi të vjetër që ushqehet edhe nga rendi patriarkal

07/17/2021 18:33
nga:M K

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar pas arrestimit të djeshëm, duke thënë se vendimi i Qeverisë për tiketën 5 euro është zhvatje e pastër.

Molliqaj komentoi aksionin e djeshëm duke thënë se “dhuna e policisë nuk erdhi nga aksioni i PSD-së, por nga cënimi i integritetit moral e politik të një qeverisjeje zhvatëse”.

Ai thotë se reagimi i mbrëmshëm i Qeverisë, ai erdhi nga presioni publik i shumtë.

I pari i PSD-së rikthekson atë që vendimi i Qeverisë për tiketën 5 euro është zhvatje e pastës.

Postimi i plotë:

“Kundër plaçkitjes – gjithmonë!
Vendimi i Qeverisë për tiketën 5 euro është zhvatje e pastër. Mbulesa argumentative e saj qëndron tek lufta për formalizim. Kjo përpjekje është në dëm të shumicës që ka pak, por që jep shumë për buxhetin e shtetit. Zhvendosja ideologjike e Kurtit nuk na çuditi, por duhet shpjeguar pasojat. Vendimet e tilla dërgojnë drejt monopoleve, ku shërbimet janë efikase, por edhe të papërballueshme për qytetarin, dhe tutje kjo logjikë përpinë çdo mundësi për drejtësi e barazi. Është simptomatike fillim-krijimi i monopolit. Ato shkojnë dora dorës me korrupsion dhe fuqizim të oligarkisë. Krejt kjo tregon çka përfaqëson ky pushtet; vlerat dhe parimet. E njëjta kritikë vlenë edhe për temën e homologimit, e cila është shpërla nga qëndrimi fillestar.

U tha që homologimi do të largohet për të gjitha veturat e më pas u tha që vetëm për veturat e reja 00. Edhe kjo politikë dëmton ata që kanë vetura të vjetra, pra përsëri goditën ata që nuk kanë.
Në anën tjetër, dhuna e policisë nuk erdhi nga aksioni i PSD-së, por nga cënimi i integritetit moral e politik të një qeverisjeje zhvatëse. Plaçkitja ndaj qytetarëve nuk kaloi pa u dalluar. Investimin në imazhin e superioritetit moral e mori lumi. Dhuna policore vjen prej një sistemi të vjetër që ushqehet edhe nga rendi patriarkal. Janë po këta policë që nuk reagojnë ndaj dhunës së përditshme ndaj qytetarëve pa mbrojtje e mbështetje nga shteti. Por policia është reflektim. Ajo merr yrush nga politika. E kur në pushtet liderët populist bëjnë kontabilitetin e numrave, tek policia përkthehet në zhvleftësim të jetës së qytetarit. Bashkëjetesa e patriarkatit me populizmin u pa dje me zë e me figurë.

Sa i përket reagimit të Qeverisë, ai erdhi nga presioni publik i shumtë. Pushteti bëri llogarinë e ditës dhe doli në humbje. Sepse pushtetet autoritare kanë numrat për bazë. Jo barazinë, por barazimin e bilanceve. Për më tepër, suspendimet nuk kanë ndodhur si rezultat i vullnetit qeveritar, por për shkak të reagimit profesional të inspektoriatit të policisë (IPK) – institucion ende i paprekur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Reagimi nuk ishte si rezultat i reflektimit qeveritar, por imponim nga qytetarët. Tentimi që të disiplinohet qytetari e dështoi këtë pushtet, në krye të herës.
Rëndësia e krejt kësaj ngjarjeje dhe insistimi në vazhdim është i lidhur me heqjen e tiketës zhvatëse. T’i kthehemi temës qendrore që na bëri bashkë dhe të fortë: pse 5 euro tiketë? Pse monopol? Pse?
I falënderoj të gjithë ata/ato që janë solidarizuar me aktivistët, kundër dhunës policore dhe kundër padrejtësisë që implikon ky vendim. Në momente si këto, organizimi i partive opozitare, qytetarëve e shoqërisë civile është shpresë e madhe për një horizont të ri”.