Lajme

Molliqaj: PDK-së nuk i duhet një Lumir që e shet demokracinë për një llogari të ngushtë elektorale!

06/25/2021 15:15
nga:Y I

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se në këto momente PDK-së, nuk i duhet një Lumir që e shet demokracinë për një llogari të ngushtë elektorale.

“Shikojeni Lumirin, cili është mësimi?! S’ka nënshkrime për Gjykatën Kushtetuese sepse synojmë votat e humbura nga Presidentja vegël. Rrjedhimisht, vegël e veglës. Secila llogari është e pamatshme përballë ruajtjes së lirive politike e ambientit demokratik në shoqëri dhe institucione” shkruan Molliqaj.

Molliqaj thotë se në këto momente i intereson e ardhmja e opozitës në Kosovë.

Ai thotë se opozita do të ketë sukses nës e do t’iu përgjigjet detyrave të kohës.

“Opozita do të ketë sukses nëse do të arrijë t’i artikulojë e t’iu përgjigjet detyrave të kohës. Suksesi i UÇK-së është guximi në kohë. Kjo trashëgimi ka lidhje të mirë ekuivalence me kërkesat e sotme. Thirrja universale e saj përshtatet e frymëzon betejën për shoqëri demokratike. Bashkimi rreth këtyre çështjeve duhet të jetë bashkëpunimi i opozitës e bashkimi i njerëzve” shkruan Molliqaj raporton Gazeta Blic.

Postimi i plotë:

Shikojeni Lumirin, ai është mësimi!

Regjimet autoritare të ditëve të sotme kanë marrë krye jo vetëm si rezultat i ekzistencës së partive e liderëve autoritarë. Ndër të tjera, ato janë sot temë e ditës edhe si rezultat i një mungese. Kjo mungesë është mungesa e një kritike të duhur që shtron rrugën drejt një opozite që bën rezistencë e hap shtigje të reja.

Zgjedhjet në PDK nuk janë punë e imja, prandaj nuk dua të flas për emra. Çfarë më intereson është e ardhmja e opozitës në Kosovë. Për bindjen time, lakimi i emrave pa pyetjen mbi rrugën që do të ndiqet s’ka asnjë dobi. Sulmi flagrant ndaj KQZ-së duhet të jetë alarm për rreziqet që e presin vendin. PDK-së nuk i duhet një Lumir që e shet demokracinë për një llogari të ngushtë elektorale. Shikojeni Lumirin, cili është mësimi?! S’ka nënshkrime për Gjykatën Kushtetuese sepse synojmë votat e humbura nga Presidentja vegël.

Rrjedhimisht, vegël e veglës. Secila llogari është e pamatshme përballë ruajtjes së lirive politike e ambientit demokratik në shoqëri dhe institucione.

Përpjekja për t’u dëshmuar para propagandës që na vjen si “opinion publik” në formën e kërkesave për ndryshim është pranim i pushtetit si instancë ideologjike. Sa më shumë i nënshtrohemi këtij gjykimi më fajtor do të ndjehemi. Kjo është një dinamikë mizore që fundos e desubjektivizon sepse instanca e gjykimit është jashtë autonomisë tënde.

Opozita do të ketë sukses nëse do të arrijë t’i artikulojë e t’iu përgjigjet detyrave të kohës. Suksesi i UÇK-së është guximi në kohë. Kjo trashëgimi ka lidhje të mirë ekuivalence me kërkesat e sotme. Thirrja universale e saj përshtatet e frymëzon betejën për shoqëri demokratike. Bashkimi rreth këtyre çështjeve duhet të jetë bashkëpunimi i opozitës e bashkimi i njerëzve.