Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, përmes një shkrimi në Facebook, theksoi se greva dha një leksion për pushtetin që kemi në vend, raporton Gazeta Blic.
Molliqaj, tha se mësimëdhënësit nuk mundën t’i përqajnë por ju kanë bërë shantazh me çështjen e pagave.
Ai tutje potencoi se nga e tërë kjo që ndodhi me grevën është shpërfaqur karakteri ideologjik i partisë në pushtet, sesa që do të shihej në një rrethanë normale.
Postimi i plotë:
Greva na dha leksion për pushtetin që kemi
Meqë as nuk kanë mundur t’i nënshtrojnë, as nuk kanë arritur t’i përçajnë, aq më pak t’i kontrollojnë, mjeti i vetëm që kanë në dorë është laku nën fyt, me punën e pagave. Sikur nuk ju mjaftoi denigrimi dhe fushata sistematike kundër mësimdhënësve.
Presioni me paga i ka kaluar limitet. Sidomos tani, në kontekstin e votimit të mësimdhënësve për çështjen e grevës, një presion i tillë është ndërhyrje në procesin e brendshëm të sindikatës.
Nga i tërë ky proces është shfaqur shumë më tepër karakteri ideologjik i partisë në pushtet, sesa që do të shihej në një rrethanë normale. Ata që kërkojnë qetësi e fitore në emër të popullit e në kurriz të punëtorëve nuk do ta gjejnë atë.


