Lajme

Molliqaj: Mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës!

09/07/2021 20:21
nga:M K

Mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës. Kjo është fraza kryesore me të cilën e ka filluar reagimin e tij kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, pak kohë pas lirimit nga Policia.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se sot kur ndaj UÇK-së po bëhet luftë speciale, jashtë e brenda vendit, mbrojtja e saj është obligim, përcjell GazetaBlic.

Më poshtë edhe postimi i plotë.

MBROJTJA E UÇK-SË ËSHTË DETYRË E KOHËS
Sot kur ndaj UÇK-së po bëhet luftë speciale, jashtë e brenda vendit, mbrojtja e saj është detyrë e kohës. Është mbrojtje e shtetit të Kosovës. Sepse nuk qëndron dot, e fortë dhe e sigurt, një ndërtesë që ia gërryejnë themelin.
Kur nuk e mbron UÇK-në, tashmë je rreshtuar. Ke marrë pozicion, kundër UÇK-së. Prandaj i arreston ata që e mbrojnë. Prandaj i mbron, i ngritë lartë, e u jep pozita atyre që e luftojnë.
Ndërkaq dhuna ndaj nesh, nuk është thjeshtë dhunë ndaj nesh. Është dhunë e mosdurimit të pushtetit sa herë që i shpaloset pozicioni i tij i gabuar.
Po ky pushtet, me këtë mënyrë të të menduarit, u ka dhënë zemër fraksioneve brenda policisë që janë kundër UÇK-së. U ka dhënë zemër të sillen dhunshëm ndaj kujtdo që është kundër qeverisë. Prandaj dhuna e shfrenuar.
Sot mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës. Është detyrë e secilit. Është detyrë që do të kryhet, pavarësisht çfarë dhune nxjerrë pushteti përballë.

/GazetaBlic/