Lideri i PSD-së, Dardan Molliqaj e ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se është e rrezikshme, e që sipas tij, parulla e VV-së ‘krejt dhe drejtë’ nuk është demokraci.
Këtë reagim, Molliqaj e bëri pasi Kosova nuk u ftua në Samitin e Demokracisë të presidentit të SHBA-së, Joe Biden.
“Krejt dhe drejtë nuk është demokraci. Qeveria e Kosovës është e rrezikshme dhe thellësisht antidemokratike. Do të ishte kështu edhe po të ftohej në Samitin e Demokracisë. Dhe nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen edhe do të ftohet nga amerikanët. Po pati përputhje agjendash, Kurti do të mbështetet nga ShBA, por kjo nuk do ta bëjë demokrat. Ani pse, mungesa e ftesës duhet pa si simptomë për tu marrur seriozisht”, theksoi Molliqaj.
Ai madje shtoi se kritika për mungesë te demokracisë duhet të burojë nga Kosova e të rritet në Kosovë.
“Janë qytetarët e këtij vendi që do të pësojnë nga Projektligji që ia mundëson Partisë kontrollin mbi Këshillin Prokurorial. Jane këta qytetarë qe do të penalizohen nga modeli bullgar që ka zgedhur Qeveria mbi konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Këta duan të formojnë trupa arbitrare dhe jashtë sistemit prokurorial për të bërë hetime. Vlerësimin mbi demokracinë duhet ta vendosin këto çështje. Demokrat je ose nuk je përballë njerëzve të Kosovës. Ka aq shumë çështje që ndërlidhen me demokracinë për të cilat duhet kritikë e angazhim. Për këtë s’ka nevojë të presim licenca nga jashtë. Mjafton t’i shohim nismat ligjore dhe vendimet arbitrare”, shtoi Molliqaj.
Kosova nuk është ftuar që të marrë pjesë në këtë samit që do të mbahet virtualisht më 9 dhe 10 dhjetor.