Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar edhe njëherë ndaj KEDS-it pasi këta të fundit në një konferencë për media paralajmëruan padi ndaj tij pas disa akuzave se kjo kompani me qëllim ka prishur dy blloqe në bashkëpunim me Qeverinë dhe menaxhmentin e KEK-ut.
Në një postim në Facebook, Molliqaj ka thënë se reagimi i KEDS-it vetëm sa e shton dyshimin sipas tij.
“Reagimi i z. Buzhala, vetëm sa shton dyshimin. Në vend se menaxhmenti i ri KEK-ut dhe KEDS-it të jenë transparente, t’i lënë vend hetimit, si dhe organet hetuese të drejtësisë të nisin punën një orë e më parë, kanë zgjedhur sulmin”, ka shkruar Molliqaj.
Ai ka paralajmëruar aksione dhe organizime tjera kundrejt KEDS-it duke thënë se paralajmërimi për padi nuk kryen punë.
Postimi i plotë:
Sot, pas konferencës që PSD ka mbajtur, lidhur me kolapsimin e KEDS, përmes pyetjeve dhe dyshimeve të ngritura, siç duket ka prekur thelbin e disa e problemeve të grumbulluara në këtë kompani dhe relacionin e saj me Qeverinë.
Reagimi i z. Buzhala, vetëm sa shton dyshimin. Në vend se menaxhmenti i ri KEK-ut dhe KEDS-it të jenë transparente, t’i lënë vend hetimit, si dhe organet hetuese të drejtësisë të nisin punën një orë e më parë, kanë zgjedhur sulmin.
KEDS është e mbyllur ndaj qytetarit prej të cilit përfiton milionat. Duke kërcënuar në konferencë dhe duke i ruajtur objektet e KEDS me polici, nuk mund ta pengojnë e as heshtin kundërshtimin qytetar.
Stili i SLAPP padive që kanë për qëllim kërcënimin e atyre që ngrisin zërin kundër eksploatimit nuk mund të zgjas. Efektit publik dhe menaxhimit te imazhit po i vie fundi.
Kjo qasje vetëm sa na jep të drejtë. Aksionet dhe organizimi do të rriten. Padrejtësia nuk mund të normalizohet. Terri ndonjëherë ndriçon të vertetën.


