Lajme

Molliqaj i reagon Kurtit: PO-ja e planit franko-gjerman, është PO edhe për Asociacionin

02/06/2023 19:24
nga:Genita C

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar pasi kryeministri Kurti deklaroi se Kosova ka pranuar planin franko-gjerman, raporton Gazetablic.

Molliqaj përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, plani franko-gjerman, përveç që nuk ka njohje reciproke, dhe as njohje të 5 vendeve të BE-së, parasheh nivel më të lartë autonomie se sa vetë Asociacioni.

Sipas Molliqajt, Kurti pranoi edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“PO-ja e këtij plani, është PO edhe për Asociacionin”, shkruan Molliqaj.

Shkrimi i plotë:

Kurti po negocion veç për fytyrën e tij

Kurti e ka pranuar planin franko-gjerman, siç e ka pranuar edhe Asociacionin. Shih ti, mbi planin franko-gjerman i paska edhe ca “pyetje” shtesë. Kështu janë edhe “kushtet” e tij për Asociacionin.

Plani franko-gjerman, përveç që nuk ka njohje reciproke, dhe as njohje të 5 vendeve të BE-së, parasheh nivel më të lartë autonomie se sa vetë Asociacioni.

Prandaj, PO-ja e këtij plani, është PO edhe për Asociacionin.

Kurti e ka veç një problem, e ky problem s’ka asnjë lidhje me përmbajtjen e asnjërit nga dokumentet: Asociacioni është problem i PR-it. Gjatë është kundërshtuar, shumë gjëra janë thënë. Historikun e shkruar të partisë edhe mund ta zhdukësh, por mbamendja për Asociacionin është ende shumë e freskët. Çfarë t’u bëjmë protestave e gazit? Çfarë njerëzve që më nuk janë midis nesh? E vetmja përgjigje është shtypja dhe dominimi deri në përmasa parafashiste. Pushteti negocion, ndërkohë e pranon edhe “Asociacionin e mirë”, SKV këndej bën protesta për ta mbrojtur kryeministrin. Aty ku proteston pushteti, rrezikohet liria. Krejt kjo për t’i pajtuar disi Albinin dhe Asociacionin.

Negociatat e tij janë veç për fytyrën e tij. Ta ruajë nëse do të mbetet diç për t’u ruajtur.