Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, përmes një shkrimi të gjatë në rrjetin social facebook ka folur për sondazhin e fundit ku matjet e nxjerrin fituese sërish VV-në.
Molliqaj në reagimin e tij thotë se “sondazhet mund të krijojnë përceptim mbi çfarë mund të jenë bindjet e njerëzve, por, ato nuk krijojnë dot bindje”
Ai pyet se pse gjithë ky shqetësim për një sondazh të caktuar kur pritet të publikohen edhe disa të tjerë.
“Të gjithë flasin për një sondazh. Po sulmohet thua ti paska ndodhur diku që sondazhi t’i ketë fituar zgjedhjet. Sondazhet mund të krijojnë përceptim mbi çfarë mund të jenë bindjet e njerëzve. Por, ato nuk krijojnë dot bindje, nuk krijojnë asgjë përtej përceptimit. Ka ndodhur shpesh, në Kosovë dhe gjithandej nëpër botë që sondazhet të jenë të pasakta në matje. Për arsye metodologjie të gabuar ose të tjera, kjo s’ka rëndësi. E serish vlen pyetja, pse gjithë ky shqetësim për një sondazh specifik kur përfliten edhe 3-4 sondazhe të tjera që pretendojnë se japin rezultate krejt tjera?! ” shkruan Molliqaj raporton “Gazeta Blic”.
Ai thotë se ajo çfarë mund të kuptojmë nga zhvillimet e fundit është se mënyra se si po zhvillohet fushata flasin për një terren pjellor për pushtetin popullist.
“Fushata e këtyre ditëve në Kosovë i ka të gjitha elementet që po i japin formë një polarizimi të përshtatshëm për propagandën populliste. Për këtë gjë, kontribues nuk është vetëm burimi prej nga vjen popullizmi. Po aq problem përbën përgjigja mbrojtëse neoliberale, përgjigje kjo që në emër të korrektësisë politike farkëton akuza pa zgjedhur mjet, sado që krejt impotente në kuptim të fuqisë apeluese. Këtë gjendje e gjen në secilin vend ku popullizmi autoritar ka fituar” shkruan tutje Molliqaj.
Reagimi i plotë:
Çfarë faji ka sondazhi?
Të gjithë flasin për një sondazh. Po sulmohet thua ti paska ndodhur diku që sondazhi t’i ketë fituar zgjedhjet. Sondazhet mund të krijojnë përceptim mbi çfarë mund të jenë bindjet e njerëzve. Por, ato nuk krijojnë dot bindje, nuk krijojnë asgjë përtej përceptimit. Ka ndodhur shpesh, në Kosovë dhe gjithandej nëpër botë që sondazhet të jenë të pasakta në matje. Për arsye metodologjie të gabuar ose të tjera, kjo s’ka rëndësi. E serish vlen pyetja, pse gjithë ky shqetësim për një sondazh specifik kur përfliten edhe 3-4 sondazhe të tjera që pretendojnë se japin rezultate krejt tjera?! Çfarë mund të kuptojmë nga zhvillimet e fundit është se mënyra se si po zhvillohet fushata, sidomos temat rreth të cilave janë krijuar kampet flasin për një terren pjellor për pushtetin popullist.
Mënyra e fushatës është mënyrë e politikës. Ajo është shfaqja e skajshme, ideologjia e kondensuar e partive politike. Fushata e këtyre ditëve në Kosovë i ka të gjitha elementet që po i japin formë një polarizimi të përshtatshëm për propagandën populliste. Për këtë gjë, kontribues nuk është vetëm burimi prej nga vjen popullizmi. Po aq problem përbën përgjigja mbrojtëse neoliberale, përgjigje kjo që në emër të korrektësisë politike farkëton akuza pa zgjedhur mjet, sado që krejt impotente në kuptim të fuqisë apeluese. Këtë gjendje e gjen në secilin vend ku popullizmi autoritar ka fituar.
Gjithandej, poli anti-establishment krijon demarkimin përkundër klasës sunduese mbi dy elemente kryesore: 1. shteti represiv dhe viktima e tij që po persekutohet (deep state, shteti i kapur); 2. klasa parazite e oligarkëve që majmet në kurriz të popullit. Për nga rëndësia, këto janë ndër temat themelore të politikës. Sigurisht, shkaqet reale dhe kompleksiteti i faktorëve këtu janë tretur në shpjegimin e thjeshtësuar popullist. Por, kur ndjenjat e njerëzve janë të trazuara për këto çështje, qëndrimi ynë duhet të jetë në nivelin e seriozitetit që kërkon çështja. Kështu, përgjigjet e zakonshme formale dhe disiplinuese janë të dëmshme. Përgjigja formale duket si ikje, kurse ajo disiplinuese është veçse konfirmim i akuzës populliste.
1. Mund ta marrim rastin e fundit të thirrjes për intervistim të Kurtit. Përpara se të flasim për procedurën dhe rregullat e gjykatës duhet të flasim për idenë e drejtësisë në vetvete. Pozicioneve politike nuk ka çka i duhet arsyeja burokratike. Njerëzit në fund do të pyesin, a është fer arrestimi i filanit? A është vërtet ky i korruptuar? Kur e dimë përgjigjen popullore për këtë, aktualizimi dhe shtjellimi i kësaj teme i ndihmon viktimizimit popullist. Një portret heroi bëhet, një shtrigë e përndjekur është rreziku që mobilizon. Sa herë pyet dikush mbi ftesat e gjykatave, përgjigja jonë duhet të jetë e tillë që mos të krijojë polarizimin e dëshiruar të pushtetit. Kjo nuk nënkupton ikje. Në vend se t’i përgjigjemi pyetjes që është kornizim i situatës sipas agjendës së Kurtit, duhet t’i përgjigjemi një pyetjeje që nuk po bëhet: çfarë do Kurti përmes kësaj sage? Një arrest elektoral. Në fakt, ai do arrest të situatës politike rreth figurës së tij. Shumë shpesh përgjigja e duhur e ka formëm e çkyçjes, në vend të çfarëdo ballafaqimi ku pushteti e ka vizatuar fushën.
2. Denoncimi që drejton gishtin kah pabarazia, pavarësisht shpjegimit të thjeshtë e lidhjes së shkurtër nuk duhet heshtur as mohuar përmes etiketave. Përgjigja cinike përkundër kërkesave egalitare është zhytje në krizën e besimit, krizë kjo që në fund sugjeron se të gjithë njerëzit qenien e kanë kafshërore, bashkë me të edhe sjelljen. Hani, pini e rrëmbeni është parrulla e ditës. Ky supozim hobsian e bën pabarazinë fatin e vetëm të natyrës njerëzore. Përgjigja jonë nuk duhet të jetë as të tingëllojë si mbrojtje e privilegjeve të majës së piramidës ekonomike. Përkundër kësaj, pushtetit duhet t’i tregojmë se përgjigja e pabarazisë kur je në pushtet duhet të jetë rishpërndarja, dhe jo vijimi i akuzës. Rishpërndarja ka munguar tash, njëjtë sikur në pushtetin e qendrës neoliberale.
Një thirrje që kërkon afekt dhe është me pretendim universal e kemi në njërën anë, një figurë eksperti, një njeri “normal” është në anën tjetër. Eksperti e menaxheri janë mohime të politikës, përgjigja e dështuar neoliberale për krizën financiare të vitit 2008. Eksperti e menaxheri nuk janë përgjigje as për Kosovën.
Kërkesa për autenticitet që vjen nga krahu popullist, edhe pse shpesh mbi ide ksenofobe a religjioze, është thirrje drejtuar ndjenjave. Përgjigja neoliberale vjen sikur të ishte e porositur për t’i ndihmuar hegjemonisë populliste: më shumë tjetërsim ju lutem. Katër vite abstenim do t’i kompensojmë me 3 muaj aktivitet elektoral. Mungesa e kauzave po zëvëndësoshet me simulime e marketingje, gjithnjë duke besuar se ato krijojnë realitet. Spektakël, futboll, reality show, – këto janë fushat prej nga po merr formë e disponim politika. Përqendrimi tek imazhi e marrëdhënia me publikun janë cilësi që lidhen me dëshirën e suksesin, cilësi që e flasin egon e ambicies për pushtet. Kauza është luftë për të vërtetën, i ka sytë kah tjetri. Kjo është rruga e reflektimit drejt njohjes së vetes.
Pushteti popullist nuk bën dot pa kushtet e tij. Këto kushte nuk janë veç objektive që tregojnë kah gjendja shoqërore a situata politike. Shpjegimi subjektiv është njëjtë i rëndësishëm, shpesh madje e përmbys përshkrimin objektiv të gjendjes. Në një shpjegim të tillë flasim për partitë, shtresat shoqërore e organizimet tjera. Kjo optikë bën me gisht kah gjendja shpirtërore, kah vullnetet e guximi, kah frymëzimi që e lë mbrapa cinizmin mosbesues; bën me gisht kah dija sepse duhet të guxojmë drejt një kritikë e një afirmacioni që sjell të reja, që e shpërthen qerthullin vetëpërsëritës diktaturë sepse korrupsion e anasjelltas. Nuk do ta pranojmë arsyen shantazhuese që imponon njërën për shkak të tjetres. Duam edhe lule edhe buke – edhe drejtësi, edhe demokraci, edhe zhvillim.