Sporti

Mohonte pandeminë, vdes pasi la spitalin ish-kampioni i kikboksit “The Undertaker”

12/26/2021 23:57
nga:Gazeta Blic

Ish-kampioni botëror dhe evropian i kikboksit, Frederic Fred Sinistra, i njohur si “The Undertaker”, ndërroi jetë në shtëpi për shkak të problemeve të rënda të frymëmarrjes pas infektimit me Covid-19.

Belgu ishte 41-vjeç dhe deri në fund mohonte pandeminë Covid-19 dhe kishte refuzuar të mjekohej. Ai ishte detyruar të shtohej në spital nga trajneri i tij Osman Yigin në fund të nëntorit, por në javën e parë të dhjetorit, pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore, ai kishte vendosur të linte spitalin dhe të kthehej në shtëpi.

Gruaja e tij, në një postim në rrjetet sociale i ka dedikuar disa fjalë bashkëshortit dhe ​​vazhdon të pretendojë se i shoqi nuk ka vdekur nga Covid.

Vetë Sinistra në faqen e tij në Instagram, i është dashur të postojë një foto nga spitali, teksa ishte i lidhur me një aparat respirator, duke njoftuar se i ishin dëmtuar mushkëritë, por duke premtuar se do të rikthehej në ring më i fortë se më parë.