Lajme

Mentor Nazarko: Deklarata e Ramës për KFOR-in në veri, në linjë me qëndrimet e vendeve të NATO-s

10/03/2023 19:46
nga:Y I

Njohësi i çështjeve politike nga Shqipëria, Mentor Nazarko, në një intervistë  dhënë për “Gazeta Blic” ka komentuar deklaratën e kryeministrit, Edi Rama, se KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.

Nazarko tha se deklarata e Ramës është në një linjë me qëndrimet e vendeve të Natos.

Ai tha se Policia e Kosovës nuk do të kishte patur të njëjtin sukses që pati me 24 shtator nëse nuk do të ishte edhe bashkëpunimi i KFOR-it.

“Deklarata e Ramës është në linjë me qëndrimet e të gjithë vendeve të NATO-s dhe NATO-s për rritjen e pranisë së KFOR, rritje cilësore dhe sasiore të saj në veri të Kosovës. Eshtë krejt e qartë, demostruar edhe nga zhvillimet në terren, që në qoftëse nuk do të ishte bashkëpunimi i KFOR-it në pikëpamje të inteligjencës posaqërisht, forcat e Policisë së Kosovës të trajnuara nga ata nuk do të kishin atë sukses që patën. Është një qëndrim në mesataren e kërkesave të Bashkësisë Perëndimore, posaqërisht asaj euro-atlantike për veriun e Kosovës” tha Nazarko.

Ai tha se e vetme Policia e Kosovës nuk mund të përballojë rreziqe si ato që ndodhën së fundi në veri .

“Vetëm Policia e Kosovës nuk mund të përballojë rreziqe si ato që u panë në veri apo që edhe mund të ripërsëriten” deklaroi Nazarko në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.

Mentor Nazarko, Njohësi i zhvillimeve politike

Pas sulmit terrorist që ndodhi një javë më parë në Banjskë të Zveçanit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës.

Rama tha se diçka të tillë e ka propozuar edhe në samitin e NATO-s.

“Sot që ajo që ndodhi dje të mos përsëritet më nesër dhe largqoftë dhe më keq. Edhe qeveria e Kosovës të mos degradoj në një arenë luftimesh të herë pas hershme, të cilat mund ta kthejnë në një dombas të vogël, ama mjaftueshmërisht të madh, për ta kthyer të djeshmen në të sotme dhe të ardhmen në të djeshme, duke i humbur Shqipërisë, Kosovës padyshim dhe gjithë këtij rajoni dhe kushedi sa vite të tjera për t’u rikthyer aty ku jemi sot dhe lërë për të shkuar atje ku duhet të jemi nesër.

“Dua ta theksoj që gjërat mund të shkojnë lart dhe shpejt, shumë më shpejt se sa mund të ndodhi në një ditë si kjo, ku vetëm niveli i përfaqësimit në dialog duhet ngritur lart dhe shpejt. Duhet pasur parasysh që kjo të bëhet, vonesa e këtij hapi mund të sjellë dhe një stokë viktimash të një konflikti të hapur. Pikërisht, për të parandaluar viktimat, KFOR duhet të marr në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë dhe në samitin e NATO, e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse” deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Edi Rama: KFOR të marrë në kontroll Veriun e Kosovës, vonesa mund të sjellë viktima!