Lajme

Mbledhja e dy qeverive, Tahiri: Sanksionet e BE-së kanë izoluar Kosovën, vendi po përballet me bllokim diplomatik

11/18/2024 10:20
nga:G C

Abelard Tahiri i PDK-së, ka kritikuar ashpër situatën e jashtme të Kosovës, duke theksuar se vendosja e sanksioneve nga Bashkimi Evropian ka çuar në një izolim të thellë diplomatik të vendit, raporton GazetaBlic.

Në një postim në rrjetet sociale, Tahiri tha se që nga 28 qershori 2023, kur BE vendosi “masat” kundër Kosovës, është reduktuar ndjeshëm angazhimi i Bashkimit Evropian në vend, duke përfshirë edhe pezullimin e mundësive për të shfrytëzuar fondet e para-anëtarësimit.

“Që nga ajo kohë, të vetmet mjete të BE-së që shpenzohen në Kosovë janë pagat për stafin e tyre, ndërsa angazhimet e tjera janë në ‘standby’. Pamundësia për të shfrytëzuar fondet e para-anëtarësimit të BE-së si masë, është shoqëruar paralelisht me një masë edhe më të rëndë: mospërfshirjen e Kosovës si aktor dhe faktor në zhvillimet e rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare,” shkruan Tahiri.

Tahiri gjithashtu ka theksuar se një ngjarje e rëndësishme e Kosovës në politikën e jashtme, siç është mbledhja e përbashkët e dy qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, është një shenjë se situata diplomatike e Kosovës ka mbetur e bllokuar.

“Sot pritet të zhvillohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo është ngjarja më e madhe e Kosovës në rrafshin e jashtëm që nga vendosja e sanksioneve,” tha Tahiri, duke shtuar se, pavarësisht se kjo ngjarje është e mirëseardhur, fakti që Kosova mund të angazhohet vetëm me një shtet fqinj është një tregues i izolimit në të cilin ndodhet vendi.