Sporti

MKRS sqaron gjithçka: Zyrtarët e lartë publikë nuk mund të ushtrojnë funksione drejtuese në organizata sportive

01/23/2026 14:44
nga:Mergim Rreci

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka dhënë sqarime lidhur me kufizimet për zyrtarët e lartë publikë në funksione sportive, pas kërkesës për interpretim zyrtar lidhur me pjesëmarrjen e tyre në organizata sportive.

Sipas përgjigjes së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), zyrtarët e lartë publikë nuk mund të ushtrojnë funksione drejtuese apo menaxhuese në organizata sportive të regjistruara si organizata joqeveritare. Ata mund të jenë vetëm anëtarë, pa funksione drejtuese dhe pa pagesë, përveç kompensimit të shpenzimeve të lidhura me aktivitetin.

Po ashtu, APK-ja thekson se organizata ku zyrtari i lartë është pjesë nuk mund të lidhë kontrata apo të përfitojë fonde nga institucioni ku ai ushtron detyrën, në përputhje me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.

MKRS-ja ka bërë të ditur se pas marrjes së këtij interpretimi zyrtar do të trajtohen të gjitha rastet në përputhje me ligjin, duke siguruar zbatim të njëjtë të rregullave dhe respektim të plotë të legjislacionit në fuqi.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Agjencia e Sportit theksojnë përkushtimin e tyre për qeverisje të mirë në sport, integritet institucional dhe transparencë, duke garantuar standarde të njëjta për të gjithë.