Lajme

Mjeti i dyshimtë: Bomba e improvizuar bëri “film” në Gjakovë

06/03/2025 20:33
nga:G B

Një autobus, të hënën pasdite u nis si rëndom nga Gjakova në Prishtinë.

Por, përpos udhëtarëve e valixheve që janë të zakonshme, në bagazh kishte edhe diçka tjetër, kësaj radhe, raporton Klan Kosova.

Konduktorit e shoferit, një grua ia la amanet një qese që ta dërgojnë deri në destinacionin final.

Porosia u dërgua në Prishtinë, po atë nuk doli ta marrë kush.

Ajo u kthye në Gjakovë, me po të njëjtin autobus.

Nga kurioziteti, shoferi e konduktori e hapën qesen për të parë çfarë ka në të.

Njëri e tjetri u habitën kur kuptuan se bëhet fjalë për diçka të veçantë.

Ekipi i deminimit u thirr në vendngjarje dhe pas ekzaminiit konstatoi se bëhet fjalë për një imitim bombe, që nuk ishte e rrezikshme.

Ndërkaq nga kompania e udhëtimeve thanë se po dyshohet që ai mjet do të përdorej në një skenë artistike si jelek me instalacione.

Nga Policia thanë se u morën veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes ndërsa konfirmuan se nuk ndaluan ndonjë të dyshuar.

Prokuroria po e trajton këtë rast si të mbyllur, pa elemente kriminale të qëllimshme, ani se fillimisht e konsideroi atë si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.