Vlera e Manganit në Liqenin e Badocit ende nuk është duke pësuar ndonjë ndryshim.
Edhe këtë vit, sikurse vitin e kaluar, zonat që furnizohen me ujë nga ky liqen po përballen me një “sfidë”.
Krejt kjo, pasi që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha se nga 15 mostrat e kryera rezultojnë me tejkalim të standardit të Manganit të paraparë.
“Nga rezultatet laboratorike, 15 mostra nga numri total i mostrave të marra rezultojnë me tejkalim të standardit për Mangan. Tejkalimet fillojnë nga vlera më e ulët prej 0.062mg/L deri në vlerën më të lartë 0.250 mg/L”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas IKPSHK-së, ani pse mangani konsiderohet lëndë ushqyese dhe kontribuon në shumë funksione trupore, rekomandon që në këtë periudhë të mos konsumohet ky ujë për pije, por vetëm si ujë teknik e për higjienë personale dhe ambientale.
Gjatë ditës së sotme, Instituti paralajmëroi përsëri se pavarësisht analizave të bëra gjatë vikendit, vërehet ulje e vlerave të Manganit. Por, këto vlera ende janë më të larta se sa vlerat e lejuara.
Në lidhje me këtë çështje, në një intervistë dhënë për GazetaBlic, Arjeta Mjeku, zëdhënëse në KRU “Prishtina”, thotë se nuk ka panik për qytetarët, derisa ajo kërkon që vetëm të mos e konsumojnë ujin dhe mos ta përdorin për përgatitje të ushqimit.
Mjeku thekson se KRU “Prishtina” ka ndërmarrë hapa në lidhje me këtë çështje.
Sipas Mjekut, thuajse të gjitha zonat që janë të furnizuara me këtë liqen është duke u shpërndarë ujë me autobotë, si dhe pos kësaj shpërndarje, korporata është duke bërë shpëlajrjen e rrjetit magjistral dhe atij sekondar.
“Qytetarët duhet t’i ndjekin rregullat e Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës të cilat ia ka rekomanduar edhe kompanisë tonë të shpërndajnë ujë për pije dhe për përgatitje të ushqimit përmes autobotëve duke filluar nga Badoci, Badoci i ri, Graqanica, Veterniku, Hajvalia, pastaj Muharrem Fejza, Rruga C, Bregu i Diellit, Xheladin Hana dhe jemi duke e bërë një gjë të tillë. Dhe, pos kësaj jemi duke e bërë shpëlarjen e rrjetit magjistral dhe rrjetit sekondar, pra të gypave të ujësjellësit në mënyrë që mos të mbetet sasia e manganit në tubacione brenda tubacioneve. Uji njëherë për njëherë duhet të përdoret vetëm si ujë teknik, për pastrimin gjeneral të shtëpisë dhe pastrimin e rrobave, por jo edhe për pije dhe përgatitje të ushqimit”, tha ajo.
E pyetur se si po bëhet kjo shpërndarje, zëdhënësja e KRU “Prishtina” bën të ditur se që nga mëngjesi deri në mbrëmje bëhet kjo shpërndarje në të gjitha ato vende që kërkesat e qytetarëve janë të mëdha.
“Jemi duke bërë shpërndarje të ujit përmes autobotëve në të gjitha zonat që furnizohen nga sistemi i Badocit dhe autobotët janë në terren nga ora 09:00 në mëngjes deri në orën 22:30. Një autobot p.sh po qëndron në Graqanicë në një rrugë, ne e postojmë menjëherë në faqen tonë. Çdo 10 minuta bëhet përditësimi i të dhënave dhe qytetarët varësisht nga kërkesat edhe autobotët janë aty ku kërkesat janë më të mëdha”, deklaroi ajo.
Tutje, Mjeku thotë se nëse një qytetar konsumon këtë ujë me rritje të mangatin, qoftë edhe pa dijeninë e tij, nuk mund të ndikojë në shëndetin e tij, por sipas saj, nëse konsumon më shumë se 10 ditë mund të shfaqet ndonjë efekt negativ.
“Çfarë ndodh nëse një qytetar e pi ujin me mangan në krojin e tij, sepse p.sh.: nuk e ka pasur informacionin e duhur në kohën e duhur sepse jo të gjithë mund të marrin informacione nga rrjetet sociale. Nuk ndikon në shëndet nëse habitemi e pimë një gotë ujë, mirëpo nëse e pijmë vazhdimisht për më shumë se 10 ditë, atëherë mund të ndikojë në shëndet”, përfundoi Mjeku.
/GazetaBlic/


