Sporti

Mjekët e “ndalojnë”, Broja kërkon të zbresë në fushë ndaj Borussia Dortmund

07/30/2023 22:59
nga:E K

“Blutë” e Chelsea po vazhdojnë turneun përgatitor në SHBA, veçse “bomberi” shqiptar, Armando Broja është i detyruar të vazhdojë stërvitjen në Londër për të qenë gati fizikisht në kohën e duhur.

Gjithsesi, sulmuesi i kombëtares shqiptare beson se kjo kohë ka ardhur, të paktën siç pretendojnë mediat angleze, të cilat theksojnë se Broja po këmbëngul që të paktën të aktivizohet në miqësoren e fundit në tokën amerikane.

“Ylli” 21-vjeçar, që sipas mediave vlerësohet mjaft nga trajneri Mauricio Pochettino, pretendon se i ka lënë pas të gjitha pasojat e dëmtimit të pësuar në dhjetor të vitit të kaluar, ndonëse mjekët e Chelsea ende janë disi të rezervuar.

Frika se mos Broja dëmtohet përsëri në miqësore, ashtu siç ndodh në fakt në muajin dhjetor, ka bërë që ai të qëndrojë në Londër dhe të stërvitet i vetëm. Megjithatë, mediat angleze raportojnë se Broja kërkon me çdo kusht që të luajë në ndeshjen e fundit miqësore që Çelsi ka para fillimit të kampionatit në muajin gusht.

Ndërkaq, kujtojmë se “blutë” e Chelsea mbyllin fazën e tyre përgatitore me një ndeshje ndaj Borusia Dortmund më 3 gusht në Çikago dhe lojtari ka shprehur dëshirën të jetë i pranishëm në këtë ndeshje.