Lajme

Mizutani: Japonia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën

11/08/2022 17:28
nga:Astrit Gashi

Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim ambasadorin jo rezident të Japonisë për Kosovë, Akira Mizutani, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mundësitë e reja ndërmjet dy vendeve mike.

Kurti me këtë rast shprehu falënderimin e tij për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë për shtetin dhe popullin e Kosovës.

Nëpërmjet ndihmës dhe asistencës në fusha, si mjedisi, shëndetësia, siguria e ushqimit, menaxhimi i pyjeve dhe menaxhimi i katastrofave natyrore, Japonia ka prekur drejtpërdrejt qytetarët e Republikës, deklaroi kryeministri Kurti.

Për Japoninë, Republika e Kosovës është partneri i besueshëm në Ballkanin Perëndimor, ndërkaq për kompanitë japoneze, mundësi shumë e mirë për investime, tha ndër të tjerash kryeministri Kurti.

Ambasadori japonez, Mizutani, tha se Japonia vlerëson lart qëndrimin e Kosovës ndaj luftës në Ukrainë, duke shtuar se Japonia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën me të cilën ndanë vlera dhe qëndrime të përbashkëta.