Prokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shpëtim Peci, ka konfirmuar se është ndërprerë numërimi i votave në Mitrovicë, derisa KQZ të bëjë verifikimin e nevojshëm.
I kontaktuar nga Pressing, Peci ka thënë “momentalisht nuk është duke vazhdu numërimi derisa ekspertët e KQZ të bëjnë verifikimin”.
Kryetari i Aleancës Kosova e Re në Mitrovicë, Gjergj Beka, ka deklaruar se procesi i rinumërimit të votave në këtë komunë është ndërprerë për shkak të disa parregullsive të evidentuara në vendvotime.
Ai për GazetaBlic tha se, policia dhe prokuroria janë të pranishëm aty dhe se komisionerët e PDK-së nuk po pranojnë të vazhdojnë numërimin deri sa të vjen një përgjigje zyrtare nga KQZ.
“Policia dhe Prokuroria janë ende të pranishme këtu. Kjo po ndodh si pasojë e disa parregullsive të vërejtura në disa vendvotime, ku numri serik i fletëvotimeve nuk përputhet me vendin ku është votuar. Procesi i rinumërimit ende nuk ka filluar, pasi komisionerët e PDK-së nuk dëshirojnë të vazhdojnë me numërimin derisa të marrin një përgjigje zyrtare dhe konkrete nga KQZ-ja se çfarë duhet të bëhet,” ka thënë Beka.
Hetuesia zbarkon në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë


