Sporti

“Mitrovica është Shqipëri”, Ndreca: Ishte planifikuar që Muja të debutonte në qershor, ‘goditje’ e zgjuar nga FSHF

06/06/2023 17:33
nga:Mergim Rreci

Arbnor Muja nuk është parë i denjë për të përfaqësuar Kosovën në ndeshjet e qershorit, por që duket se kjo mund të ishte mundësia e fundit për ‘Dardanët’ që ta kishin në radhët e tyre.

Sipas ‘Sport Ekspres’, ai tashmë ka zgjedhur fanellën e Shqipërisë dhe në ndeshjet e radhës kualifikeuse ai do të luajë me fanellën e ‘Kombëtares Kuq e Zi’.

Gazetari i këtij mediumi, Klaudio Ndreca, ai i cili raportoi lajmin, tha për ‘GazetaBlic Sport’ se Shqipëria dhe Federata e atjeshme e Futbollit ka punuar shumë për këtë gjë.

“E para, duhet të themi se një njeri që nuk e do Shqipërinë nuk e do Kosovën dhe një njeri që nuk e do Kosovën nuk e do as Shqipërinë. Ka ndodhur me Rashicën dhe me Ardian Ismajlin, duhet të jemi të qetë dhe t’ia bëjmë më të lehtë kalimin e këtij lloji futbollistëve pasi gjithsesi prezantojnë shqiptarët. Nuk duhet që Muja të kalojë presion psikologjik apo moment të vështirë pasi erdhi nga Kosova te Shqipëria. Në fakt te ne është punuar shumë mirë jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në skautizëm. Tani është e pamundur të gjesh një lojtar shqiptar të nivelit të lart që Shqipëria nuk e ka apo nuk e ka kontaktuar”, tha fillimisht ai.

Më pas, Ndreca tha se Kosova gaboi në mënyrën sesi e menaxhoi Arbnor Mujën, madje tha se Arbnori ishte shumë afër që të debutonte me Shqipërinë edhe në ndeshjet e qershorit.

“Kosova gaboi shumë me mënyrën sesi e menaxhoi Arbnor Mujën dhe vitet e munguara në eksperiencë shfaqen në raste të tilla. Arsyeja nuk është mungesa në këtë listë të Kosovës që Muja po vjen te ne. Në dijeninë time u tentua gjithçka që Arbnori të debutonte në qershor me kuqezinjtë por për shkak të disa vonesave në dokumentacione u shty për në ndeshjet e radhës. Silvinjo do të zëvendësojë Roshin me Mujën, në atë krahë Shqipëria vuan dhe për këtë arsye mund ta quajmë goditje të zgjuar. E në këto kohë trazirash jepet një mesazh i bukur, Mitrovica është Shqipëri”. përfundoi Ndreca.

/GazetaBlic Sport/