Sporti

Mitaj shkëlqen edhe në Moskë, shpallet “Lojtari i Ndeshjes”

10/21/2023 21:10
nga:E K

Dy ndeshje të shkëlqyera me Kombëtaren Shqiptare ndaj Çekisë në eliminatore dhe Bullgarisë në miqësore, kanë ndihmuar jo pak Mario Mitajn edhe për të hedhur pas krahëve situatën e vështirë që po kalonte te klubi i Lokomotivës së Moskës.

Kështu mbrojtësi i talentuar 20-vjeçar u aktivizua titullar në derbin e Moskës ndaj Dinamos dhe qëndroi në fushë për 90 minuta duke u vlerësuar me notën 7.3, teksa sfida u mbyll në barazim pa gola.

Në këtë takim Mario Mitaj luajti në një rol të ri, atë të shkatërruesit dhe tregoi cilësi mjaft të mira, teksa në fund u zgjodh edhe lojtari më i mirë i ndeshjes.

Vlen të theksohet se pas ndeshjeve të tij të shkëlqyera me fanellën kuqezi, tifozët e Lokomotivës së Moskës kritikuan ashpër trajnerin në rrjetet sociale, pikërisht për aktivizimin me pikatore të mbrojtësit 20-vjeçar.