Lajme

Miratohet projektligji për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj

01/24/2024 13:07
nga:N K

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se ky propozim i ri nga Ministria e Drejtësisë, shqiptarët e Luginës mund të fitojnë të drejta pronësore në Kosovë.

“Jemi zotuar që do t’i mbështesim bashkëkombësit tanë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe që do ta avancojmë pozicionin e tyre juridik. Me propozimin e ri nga Ministria e Drejtësisë, shqiptarët nga ajo trevë, do të mund të fitojnë të drejta pronësore në Kosovë, sipas kushteve të parapara me ligj, duke përjashtuar parimin e reciprocitetit”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, potencoi se ky ligj përcakton se fitimi i të drejtës pronësore të shtetasve të huaj, bëhet mbi bazën e parimit të reciprocitetit, shkruan teve1.info.

“Ky ligj përcakton se fitimi i të drejtës pronësore të shtetasve të huaj, bëhet mbi bazën e parimit të reciprocitetit. Duke pasur parasysh rrethanat dhe mungesën e raporteve bilaterale të Kosovës me Serbinë, qytetarëve të komunitetit shqiptar në Luginë me dispozitat aktuale në fuqi, iu bëhet e pamundur fitimi i të drejtës pronësore. Pra, bëhet e pamundur që ata të blejnë prona në Kosovë për shkak të mungesës së reciprocitetit”, theksoi Haxhiu tutje.