Lajme

Miratohet në lexim të parë buxheti për vitin 2024

11/16/2023 22:18
nga:Genita C

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pas diskutimeve mbi 11 orë e kritikash ndërmjet pozitës dhe opozitës, me shumicë votash kanë miratuar në lexim të parë projektbuxhetin për vitin 2024.

Buxheti u miratua me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Në momentin e votimit deputetët e opozitës lëshuan sallën e Kuvendit.

Buxheti për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë prezantimit të buxhetit, tha se ky do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe sigurisë.

Ndërsa, opozita ka dhënë vërejte për këtë buxhet, i cili sipas tyre nuk paraqet zhvillim.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku thotë se buxheti i vitit 2024 nuk i paraqet kërkesat e qytetarëve.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se buxheti i vitit 2024, është në shpërputhje me zotimet e Qeverisë Kurti.

Ramush Haradinaj ka thënë se buxheti i viti 2024 ka rritjen më të vogël që nga çlirimi i vendit.