Lajme

Miratohet deklarata e përbashkët e seancës plenare mes dy kuvendeve Shqipëri-Kosovë

12/20/2024 15:03
nga:Sh R

Në fund të seancës së përbashkët mes dy Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës u miratua deklarata e përbashkët të dalë nga seanca mes dy kuvendeve.

Deklarata e përbashkët nis duke e vënë theksin se qëllimi i mbledhjes është koordinimi i axhendës kombëtare për realizmin e objektivave tona strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade, integrimin euroatlantik të Kosovës, anëtarësimin në NATO dhe BE dhe njohjen përfundimtare të Kosovës si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve si dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar për zhvillim, për demokratizim për paqe dhe për siguri në rajon dhe më gjerë.

“Të dy Kuvendet e konfirmojnë nivelin strategjik të bashkëpunimit dypalësh. Në tërësinë e marrëdhënieve që të dy vendet kanë dhe zhvillojnë ën rajon, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e kanë reciprokisht rëndësinë parësore. Sfidat e Kosovës janë edhe sfidat e Shqipërisë dhe sukseset e Kosovës janë edhe të Shqipërisë dhe anasjelltas. Marrëveshja mes dy Kuvendeve, nënshkruar në shtator të vitit 2022 ka institucionalizuar bashkëpunimin tonë he i ka dhënë dhe një mbështetje të re shtytëse bashkëpunimit mes qeverive dhe institucioneve tona dhe forcimit e komunikimit ndër njerëzor dhe lidhjeve mes qytetarëve të të dyja vendeve”, thuhet në deklaratë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca teksa lexoi deklaratën nënvizoi se mospajtimet kanë qenë të pranishme gjithmonë, por rëndësi ka uniteti dhe ecja përpara.

“Sa i përket kësaj seancë konsideroj që në çdo moment historik dhe të vështirë nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë mospajtimet kanë qenë të pranishëm dhe idetë e kundërta, mendimet e ndryshme etj. Mendime të ndryshme kishte dhe në Lidhjen e Prizrenit kur u mbajt ajo. Studiuesit edhe historianët na i kanë sjellë ato, të gjitha kontradiktat e mundshme dhe të gjitha mospajtimet. Mospajtime kishte dhe në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Kishte nga ata që e kundërshtonin dhe i dimë të gjitha ato dhe pastaj edhe në të gjitha fazat e rëndësishme nëpër të cilat kaloi kombi ynë”, tha ai.

Më tej ai theksoi se “arsyeja pse qëndrojmë këtu dhe më të fuqishëm se kurrë është vetëm një arsye. Arsyeja është se nëpër çdo sfidë dhe kontradiktë nëpër të cilën kemi kaluar ka ngadhënjyer gjithmonë ai opsioni kryesor. Dhe opsioni kryesor është opsioni i unitetit dhe opsioni i progresit, i ecjes përpara. Dhe kjo është ajo që na ka sjellë këtu dhe na ka bërë fitimtarë në çdo udhëkryq nëpër të cilin kemi kaluar dhe kështu mendoj do të jetë gjithmonë me kombin shqiptar”.