Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke folur për vizitën e saj në Hagë, ku u takua me disa prej të akuzuarve në Gjykatën Speciale, por jo edhe me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, ka thënë se takimet me dy të fundit nuk kanë ndodhur, pasi nuk ka pasur vullnet nga ana e tyre.
“Në vizitën tonë kemi takuar Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur, po ashtu kemi takuar pesë nga personat që po mbahen në paraburgim, Hysni Gucatin, Rexhep Selimin, Pjeter Shalën, Jakup Krasniqin dhe Nasim Haradinajn. Jam takuar me kryetaren e Gjykatës, Trendafilova, dhe me ambasadorin holandez për organizatat humanitare, si dhe me avokatin e popullit”.
Haxhiu tregoi se gjatë këtyre takimeve janë njoftuar në raport me kërkesat dhe shqetësimet që mund të kenë.
“Me rendësi ata janë mirë me shëndet, po qëndrojnë të fortë dhe çështjet që janë serioze i kemi ngritur në instancat tjera. Parim kryesor, ndërkombëtar dhe i aplikueshëm e që njihet në kushtetuesen tonë është gjykimi i drejtë në kohë të arsyeshme dhe se disa prej tyre po mbahen afër dy vjet në paraburgim dhe nuk ka ende seancë gjyqësore, natyrisht që kjo përbën shqetësim, sepse nuk është e lehtë dhe nuk është standard i drejtë në qoftë se dikush mbetet në paraburgim përderisa ka nisur seanca gjyqësore”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se gjatë vizitës ka ngritur edhe çështjen e vizave të familjarëve, të cilët fatkeqësisht duhet të aplikojnë çdo muaj për t’u pajisur me viza dhe të merren me procedurat burokratike.
“Ne kemi një vullnet që kjo çështje duhet të adresohet sa me parë që të paktën bashkëshortet, por edhe fëmijët e tyre te pajisen me viza afatgjate apo speciale, po ashtu po bëjmë përpjekje që t’ua mundësojmë edhe për prindërit, por nuk e di nëse do të kemi sukses, po ashtu kam adresuar çështje të tjera që lidhen me vizitat institucionale”./RTK/


