Lajme

Ministrja e Shëndetësisë së Malit të Zi ishte kundër që vendi i saj t’i dhurojë vaksina FSK-së

06/26/2021 07:36
nga:M K

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj me anë të një postimi në Facebook tregoi me 21 qershor se Mali i Zi ka dhuruar 400 vaksina për FSK-në.

Pas kësaj, kishte reaguar presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq që e kishte quajtur të papranueshme këtë veprim të malazezëve.

Ministrja e Shëndetësisë në Malin e Zi, Jelena Borovinić Bojović tha se ajo ishte kundër vendimit që FSK-së t’i dhurohen 400 doza të vaksinës anti-Covid.

“Dhurimi i vaksinave për faktorë të jashtëm, në “Momenti kur ne ende po luftojmë për vaksinat për të cilat kemi rënë dakord, nuk është i pranueshëm”, tha ministrja për Sputnik.

Borovinic Bojovic theksoi se përparësia absolute duhet të jetë shëndeti i qytetarëve të Malit të Zi.

“Do të ishte mirë nëse do të ishim në një situatë për të dhuruar vaksina, por nuk është kështu për momentin. Pra, pozicioni im është i qartë – unë jam kundër çdo dhurimi të vaksinave,” tha Borovinic Bojovic.

152 mijë e 643 qytetarë kosovarë kanë pranuar të paktën njërën dozë të vaksinës anti-Covid deri më sot