Lajme

Ministria e Shëndetësisë jep detaje për vaksinimin e fëmijëve prej 5 deri 11 vjeç

07/15/2022 08:14
nga:Astrit Gashi

Ditët e fundit në vend është rritur ndjeshëm numri i të infektuarve me coronavirus në Kosovë.

Të enjten Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka lejuar vaksinimin edhe të fëmijëve nga mosha 5 vjeçare.

“Ministria e Shëndetësisë i njofton prindërit e fëmijëve të moshës 5-11 vjeç se ka miratuar vaksinimin e tyre me vaksinën kundër COVID-19.

Pas sigurimit ditë më parë dozave pediatrike të vaksinës kundër COVID-19, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes mekanizmit COVAX dhe sigurimit të materialeve përcjellëse për vaksinim, fëmijët e moshës 5-11 vjeç, nën përkujdesjen e prindit ose kujdestarit ligjor, mund të vaksinohen që tani kundër COVID-19 në njësitë e vaksinimit në komunat e Kosovës”, thuhet në njoftim.

MSH ka dhënë edhe detajet për dozat e rekomanduara për moshat e lejuara që të vaksinohen.

Grupmosha 60+ vjeç mund të vaksinohen me dozën e katërt me kusht që të kenë kaluar së paku 4 muaj nga marrja e dozës së tretë.

Grupmosha 12+ vjeç mund të vaksinohen me dozën e parë, të dytë dhe të tretë;

Grupmosha 5-11 vjeç me dozën e pare dhe dozën e dytë.

Ministria e Shëndetësisë u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19 për të parandaluar sëmundjen, format e rënda të saj dhe vdekjet nga COVID-19.