Ministria e Mbrojtjes ka mohuar lajmet nga mediat serbe se 10 pjesëtarë serb të FSK-së kanë dhënë dorëheqje, raporton Gazeta Blic.
Përmes një njoftimi në Facebook, Ministria ka thënë se janë tre kërkesa për demobilizim që kanë pranuar prej kohësh dhe për të cilat janë duke u ndjekur të gjitha procedurat e rregullta.
Ajo vlerëson se deklarimet e tilla janë tendencë e Beogradit zyrtar për të nxitur largimin e pjesëtarëve serb nga institucionet e Kosovës.
Ministria e Mbrojtjes thotë se nuk pret që Serbia të ulë shkallën e kërcënimeve, por dhe Kosova si shtet nuk do të dorëzohet kurrë përpara këtyre presioneve.
Njoftimi i plotë:
Referuar lajmit të publikuar nga mediumi serb, dhe të cituar edhe nga disa medie vendore, ju informojmë se është dezinformatë.
Nuk është e vërtetë që kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre 10 pjesëtarë serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë tre kërkesa për demobilizim që kemi pranuar prej kohësh dhe për të cilat janë duke u ndjekur të gjitha procedurat e rregullta.
Prandaj, deklarimet e tilla publike i shohim më tepër si tendencë e Beogradit zyrtar për të nxitur largimin e pjesëtarëve serb nga institucionet e Republikës së Kosovës, madje, edhe përmes kërcënimeve direkte.
Përpjekjet e Serbisë për të frikësuar pjesëtarët serb të FSK-ës janë të papranueshme, shkelin normat e civilizimit dhe vlerat demokratike evropiane.
Nuk presim që Serbia të ulë shkallën e kërcënimeve, por dhe Kosova si shtet nuk do të dorëzohet kurrë përpara këtyre presioneve.
Vlerësojmë dhe respektojmë kontributin e secilit pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës së Kosovës për sakrificën dhe shërbimin ndaj atdheut.
Kosova është shtet multietnik, dhe Ushtria e Kosovës është garantuese e integritetit territorial dhe jetës së çdo qytetari pa dallim etnie.
Bashkë do të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO!


