Lajme

Ministria e Drejtësisë nis punën për noterët e rinj, synohet finalizimi gjatë 2024

12/27/2023 23:48
nga:G C

Ndër vendimet e para që morri Albulena Haxhiu kur u ul në ulësen e ministres së drejtësisë, ishte anulimi i konkursit kontradiktor për noter.

Arsyet sipas saj ishin të shumta, përfshirë nepotizmin, e kritikat e marra nga ndërkombëtarët.

Prej vitit 2020, rasti ka qenë në gjykatat e Kosovës dhe Apeli gjatë vitit të kaluar i hapi rrugë konkursit të ri, duke refuzuar propozimin e disa prej kandidatëve, të cilët kërkuan që të detyrohet ministria me vazhdimin e procesit.

Tash, ministria e drejtësisë ka nisur një proces të ri, pjesë e të cilit do të jenë edhe kandidatët e rekomanduar për noter, në konkursin e kaluar.

“Kemi vazhduar me procedurën për provimin e ri për noterë dhe pas përfundimit të këtij procesi për noter të rinjë, do të zhvillohet edhe procedura për emërimin e noterëve. Në këtë procedurë do të merren parasysh kandidatët të cilët e kanë kaluar provimin e noterisë sipas kritereve të parapara me ligj”, ka thënë Albulena Uka, nga Ministria e Drejtësisë.

Kjo po i duket e padrejtë Ylli Bokshit, i cili është një prej kandidatëve të rekomanduar për t’u zgjedhur noter.

“Në qoftëse ky proces kalon dhe hyjmë në të njëjtën konkurencë, atëherë disa prej neve që veçse jemi zgjedhur do të na e pamundësoj përzgjedhjen për noter, përkundër që tani jemi të rekomanduar nga komisioni përzgjedhës. Ministrja ende nuk ka vendosur për atë konkurs”, ka thënë ai.

Bokshin, që punon si avokat, e vlerëson të ngutshëm hapin e ministrisë me shpalljen e konkursit të ri.

“Konkursi për aplikim për provim të noterisë është i ngutshëm, pasi që ministrja ende nuk ka vepruar sipas rekomandimit të komisionit përzgjedhës të asaj ministrie, nga i cili kandidatët që kanë aplikuar në procesin e parë për noteri janë rekomanduar për t’u zgjedhur”, ka deklaruar ai.

Përderisa në disa komuna ka koncentrim më të madh, disa komuna të tjera në vend vazhdojnë të mos e kenë asnjë noter, e ky problem, sipas Albulena Ukës nga Ministria e Drejtësisë do të marrë fund me konkursin e ri.

“Në këtë mënyrë do të bëhet zgjidhja e problemit për mungesën e noterëve në komunat e Kosovës. Pas përfundimit të provimit të noterisë dhe këtij procesi, pritet të hapet konkursi për emërimin e noterëve dhe të bëhet caktimi i noterëve nëpër komuna dhe të eliminohet problemi i mungesës së tyre nëpër komunat e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Procedura për emërimin e noterëve të rinj, për t’iu bashkuar shifrës prej 50 që janë në shërbim aktualisht, synohet të përfundohet brenda vitit të ardhshëm.