Lajme

Ministri Vitia del në konferencë të jashtëzakonshme, ‘godet’ një kompani private

06/13/2023 16:19
nga:Genita C

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka dal të martën në një konferencë të jashtëzakonshme për media dhe ka akuzuar për falsifikim të dokumenteve ‘Pharma Leader’, kompaninë private e cila është ofertuese në tenderin për insulina.

Vitia tha sot se MSh-ja ka dyshime se kompania private është përfshirë në një falsifikim të dokumenteve.

Ai tha se provat që i ka siguruar Ministria, i ka dorëzuar sot në Prokurorinë e Shtetit.

“E kemi ftuar këtë konferencë të jashtëzakonshme me shkas. Jemi sot këtu që ta shporesim shqetësimin tonë lidhur me dyshimet për veprën penale falsifikim të dokumenteve në tender nga operatori ekonomike ‘Pharma Leader’. Dje, më datë 12.06.2023 jemi njoftuar zyrtarisht se kompania në fjalë nuk ka pasur asnjë leje për të importuar insulina në Republikën e Kosovës. As nga prodhuesi amerikan, e as nga kompania në Maqedoni të cilën pretendon”, tha Vitia.

Kompania ‘Pharma Leader’ është një nga ofertuesit në tenderin për insulina, i cili po zvarritet nga Ministria e Shëndetësisë tash e dy vjet.

Paparaci, ka raportuar para disa javësh rreth refuzimit mbi dy-vjeçar të ministrit të Shëndetësisë për nënshkrimin e tenderit për insulina.

Lidhur me këtë tender, janë aktivizuar Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës.

Hetuesit e policisë kishin filluar hetimet mbi refuzimin e zyrtarëve të MSH-së për mos nënshkrimin e kontratës. Ministri i Shëndetësisë ka refuzuar ta nënshkruajë tenderin përkundër urdhrit të OSHP-së për procedim të kontratës.