Lajme

Ministri serb i Mbrojtjes: Vuçiq sonte ka urdhëruar që ushtria serbe të jetë në nivelin e përdorimit të forcës së armatosur

12/26/2022 23:43
nga:Astrit Gashi

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka deklaruar sonte se “1,500 policë të Kosovës do t’ia mësyjnë Veriut për t’i sulmuar serbët”, e më pas së bashku me ministrin e tij të Mbrojtjes shpalli gjendjen më të lartë të gatishmërisë ushtarake, siç e arsyetoi ai, për ta mbrojtur integritetin territorial dhe serbët kudo që jetojnë.

Duke folur për Tanjug, ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka thënë se nuk ka arsye për të bërë panik, por megjithatë ka diçka për t’u brengosur.

“Si komandant suprem, Presidenti i Serbisë, ka urdhëruar sonte që Forcat e Armatosura të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë ushtarake, pra në nivelin e përdorimit të forcës së armatosur”, ka thënë ai.

Sipas Vuçeviqit, kjo po bëhet “për ta mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë”.

Ai ka thënë se Vuçiq e ka urdhëruar gatishmërinë më të lartë ushtarake, duke e pasur në mendje atë që është duke ndodhur sonte në Kosovë, me pretendimin se Qeveria e Kosovës po përgatit një “sulm” ndaj serbëve për heqjen e barrikadave.

Vuçeviq është ankuar që askush nuk po e përmend Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se ndërkohë po mbahen të arrestuar ilegalisht qytetarë serbë. Ai ka aluduar në serbin e arrestuar, Dejan Pantiq, i dyshuar për sulme terroriste ndaj institucioneve të Kosovës.

Edhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq ka folur me tone dramatike sonte, duke shprehur gatishmëri për ndërhyrje ushtarake të Serbisë në territorin e Kosovës. Daçiq ka thënë se nëse kërcënohen qytetarët serbë dhe nëse KFOR-i nuk ndërhynë, atëherë ndërhyrjen do ta kryejë ushtria serbe.