Lajme

Ministri serb: Dënimi verbal i BE-së për mbylljen e degëve të Postës – i barabartë me miratimin e heshtur

08/06/2024 09:37
nga:Sh R

Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale në Serbi, Nemanja Staroviq, ka thënë se dënimi verbal i BE-së për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës është i barabartë me miratimin e heshtur.

Ai shtoi se “reagimi i BE-së për mbylljen e degëve të Postës ishte i njëjtë si më shumë se dy muaj më parë, kur policia e Kosovës bastisi degët e Bankës Postare Kursimore”,

“Dënimi verbal është i barabartë me miratimin e heshtur. Asgjë përveç një fyerje për sensin e shëndoshë”, shtoi Staroviq.

Bashkimi Evropian e ka konsideruar si shkelje të marrëveshjeve të arritura në dialog, mbylljen e tyre nga ana e autoriteteve kosovare.

Në reagimin e BE-ja u tha se si pjesë Marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionin e arritur në vitin 2013 dhe Planin e Veprimit të rënë dakord më 2015, të dyja palët [Kosova dhe Serbia] patën rënë dakord që të diskutojnë shërbime postare “në një fazë të mëvonshme”, duke pranuar kështu, sipas BE-së, se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së dialogut.

“BE-ja është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut. BE pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje”.

Nëntë degë të Postës së Serbisë në veri të vendit, që ishin të palicensuara dhe të paregjistruara u mbyllën gjatë aksionit të së hënës.

Tri nga objektet janë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan një në Zubin Potok.