Lajme

Ministri për Evropë i Britanisë falënderon Kosovën për sanksionet ndaj Rusisë

03/16/2022 17:35
nga:Astrit Gashi

Ministri për Evropë i Britanisë, James Cleverly, ka falënderuar Kosovën që i vendosi sanksione Rusisë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Ai po ashtu e konsideroi si bujar vendimin që Kosova t’i hapë dyert për refugjatët e Ukrainës.

“Është thelbësore që Evropa të paraqesë një front të bashkuar kundër Putinit. I jam mirënjohës Kosovës për zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe ofertës së saj bujare për të pritur refugjatët ukrainas”, ka shkruar Cleverly.

Ai gjithashtu tha se Mbretëria e Bashkuar mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj integrimit euroatlantik të Kosovës.

Përveç vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe një rezolutë që dënon agresionin rus në Ukrainë.