Lajme

Ministri Murati kërkon ratifikimin e një projekti për ndihmë sociale, kundërshtohet nga LDK

02/22/2023 13:40
nga:Astrit Gashi

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar ratifikimin e marrëveshjes me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”, në vlerë 43 milionë Euro.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ky projektligj mundëson reformimin e skemave sociale, parasheh edhe krijimin e regjistrit social, krijimin dhe integrim i sistemeve në mënyrë që sipas tij, verifikimi i pensionistëve dhe rasteve sociale të jetë më i lehtë për sa i përket kritereve të varfërisë apo kategorive të caktuara.

“Arsyeja pse po e sjell për herën e tretën herë para jush është se e konsiderojmë që është një hap i rëndësishëm që duhet të bëhet. Janë mijëra pensionistë që presin që të hapet rruga, nuk do ta kisha mundin që ta sjelli për herën e tretë por duke e ditë rëndësinë për qytetarët dhe shtetin e Kosovës po e sjell për herë të tretët para jush duke besuar që të gjeni vullnetin, të lihen anash inatet dhe të mbështetet si marrëveshje në mënyrë që të hapet rruga për reformat”, tha Murati.

Këtë e kundërshtoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili i tha Qeverisë Kurti se çfarë Qeverie jeni ju që nuk arrini t’i paguani pensionet.

“Kjo marrëveshje vjen për herën e 3-të dhe nuk ka ndryshu pikë as presje. Zonja Kusari përdori terma duke i thirrë ndërgjegjes, vërtetë është praktikë e re që disa grupe parlamentare të pozicionohen kundër marrëveshjes ndërkombëtare por nuk ka ndodh asnjëherë asnjë qeveri me pru marrëveshje për ndihma sociale, kemi sjellë projekte kapitale por jo marrëveshje sociale”, tha Hoti.