Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka filluar vizitën zyrtare në ShBA, duke u pritur në takim nga këshilltari i lartë në Departamentin e Shtetit, Paul Pfeiffer.
Gjatë këtij takimi Krasniqi dhe Pfeiffer kanë diskutuar për qeverisjen lokale, zhvillimin ekonomik lokal, rezultatet dhe sfidat në transformimin dhe digjitalizimin lokal.
Në veçanti kanë diskutuar për përfundimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në pjesën veriore, të cilat u mbajtën sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës si dhe për procesin e konstituimit të organeve të reja komunale.
Krasniqi ka falënderuar Pfeiffer për mbështetjen e ofruar në rrugën drejt Open Government Partnership (OGP) si dhe për planet e përbashkëta për implementimin e Planit Kombëtar të Veprimit për OGP.
Gjatë kësaj dite pune, Krasniqi ka takuar edhe Janine Garcia, këshilltare e lartë në Byronë për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, për të diskutuar çështjet me interes të përbashkët.
Krasniqi, ditëve në vijim gjatë qëndrimit në ShBA do të realizojë një numër të takimeve me personalitete dhe intelektualë në ShBA.


