Lajme

Ministri i Mbrojtjes takon ambasadorin shqiptar, zotohen për bashkëpunim vëllazëror

04/20/2021 11:39
nga:Y I

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka pritur të martën në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Minxhozi ka uruar ministrin Mehaj dhe përcolli urimet për detyrën nga ana e homologut të tij, ministrit Niko Peleshi.

“Duke vlerësuar lart personalitetin, eksperiencën dhe profilin ushtarak të ministrit Mehaj, ai shprehu besimin e plotë në suksesin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në perspektivën vijuese zhvillimore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Mehaj nga ana e tij, falënderoi ambasadorin dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të Republikës së Shqipërisë në të gjitha periudhat dhe në arritjet e përgjithshme të Republikës së Kosovës.

Ai, ndër tjera, foli edhe për kontributin në profesionalizimin e kuadrove ushtarakë të FSK-së përmes shkollimit, trajnimeve si dhe kontributin e oficerëve shqiptarë në kuadër të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

Mehaj ka theksuar nevojën e intensifikimit të aktiviteteve të përbashkëta sipas konceptit bashkëkohor të “Smart defence” në mes dy ministrive dhe forcave, thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve vëllazërore në funksion të interesave të përbashkëta si dhe në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.