Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba, akuzoi sot Rusinë se po përpiqet të shantazhojë botën.
Ai tha se Rusia po përpiqet të shantazhojë botën duke thënë se është e gatshme të zhbllokojë portet në Detin e Zi, nëse i hiqen sanksionet.
Kuleba shkroi në Twitter se të gjithë ata që po mendojnë ta pranojnë “këtë lojë” duhet së pari të vizitojnë “varret e fëmijëve të vrarë ukrainas dhe të flasin me prindërit e tyre”, raporton Guardian, përcjellë Gazeta Blic.
Më herët sot, zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrei Rudenko tha se Rusia ishte e gatshme të sigurojë një korridor humanitar për anijet që transportojnë ushqim nga Ukraina, në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Portet e Ukrainës në Detin e Zi janë bllokuar që kur Rusia nisi një operacion ushtarak në Ukrainë më 24 shkurt, dhe më shumë se 20 milionë tonë drithë janë ngecur në Ukrainë.


