Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, ka deklaruar se pas përfundimit të procesit të identifikimit do të vijojë një procedurë e organizuar për transferimin e viktimave në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme të Bullgarisë.
Ai në një konferencë për shtyp bëri të ditur se procesi i identifikimit të kufomave ende s’ka filluar, por që pret që kjo të bëhet nesër.
“Pas përfundimit të procesit të identifikimit do të vijojë një procedurë e organizuar për transferimin e kufomave të të ndjerëve, aktivitet që do ta koordinojmë së bashku me Ministrinë e Jashtme të Bullgarisë, e cila nga ana e saj ka marrë përsipër t’i koordinojë aktivitetet me institucionet e tjera në Sofje. Ende s’ka filluar procesi i identifikimit ku para disa orësh janë evakuuar trupat nga autobusi për në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Sofje. Ekspertët nga Mjekësia Ligjore nga Shkupi janë në Sofje, dhe besoj se nga nesër do të filloj procesi i identifikimit”, është shprehur Osmani,
Ai tha se deri më tani në raportet zyrtare kanë humbur jetën 45 persona, prej tyre 12 fëmijë dhe janë shtatë të mbijetuar.
“Për fat të mirë kishte shtatë të mbijetuar nga të cilët sot i takova personalisht në klinikën e Sofjes. Janë në gjendje të mirë, jashtë rrezikut për jetë dhe gjatë ditëve në vijim pritet të transferohen edhe në spitalet e Shkupit ose shërim shtëpiak”, tha Osmani.
Flasin çifti i të mbijetuarve nga aksidenti tragjik në Bullgari, rrëfejnë momentet e tmerrit


