Lajme

Ministri Çeku padit për shpifje deputetin e LDK-së, Besian Mustafa

6 ditë më parë
nga:G B

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka dorëzuar një padi për shpifje ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe zëdhënësit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa.

Çeku ka bërë të ditur se para disa ditësh kishte shkruar një analizë për, siç e quan ai, “mungesën e konsistencës në qëndrimet publike të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku”, pas së cilës Mustafa kishte reaguar brenda dy orëve.

Sipas Çekut, reagimi i Mustafës nuk përmbante asnjë kundër-argument, por vetëm akuza të pabaza dhe shpifje.

“Aty kishte vetëm shpifje. Nga pretendimi për një ‘hall financiar’ te projektet e stadiumeve, deri te ai për ‘subvencione 257 mijë euro për vëllain tim’,” ka shkruar Çeku në një postim publik.

Ministri ka deklaruar se fillimisht i ka kërkuar Mustafës që të tërheqë deklaratat dhe të kërkojë falje, por pasi kjo nuk ndodhi, ai vendosi të ndjekë rrugën ligjore.

“Pasi nuk reflektoi brenda këtij afati, padinë për shpifje e dorëzova sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës,” ka njoftuar Çeku më 24 mars 2025.

Në përplasjet mes tyre, Çeku ka akuzuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për, siç thotë ai, një qëndrim kontradiktor mbi ambiciet për postin e kryeministrit.

Nga ana tjetër, Mustafa ka reaguar duke akuzuar Çekun për tenderë dhe subvencione të dyshimta, duke përmendur kontrata në vlerë prej 56 milionë eurosh të nënshkruara në nëntor 2024 dhe ndarjen e fondeve për organizatën ‘Ec ma ndryshe’, të cilën ai e ka drejtuar më parë.

Përplasjet mes të dyve vazhdojnë, ndërsa çështja tashmë është në duart e drejtësisë.