Lajme

Ministri Aliu lidh marrëveshje me kolegjin ku mori pagë, dyshime për konflikt interesi

04/20/2022 15:31
nga:Q R

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëunimi me Kolegjin Ndërkombëtar për Biznes dhe Teknologji, në të cilin ai ka ushtruar funksionin e profesorit.

Dyshimet për konflikt interesi në këtë rast ndaj ministrit Aliu, i ka ngritur Shkëlzen Gashi, aktivisti i shoqërisë civile dhe ish-këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti.

Gashi ka deklaruar se lidhja e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, të udhëhequr nga Liburn Aliu, dhe institucioni privat i arsimit universitar, UBT, përbën shkelje të premtimeve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Drejtori ekzekutiv i organizatës jo-qeveritare, ADMOVERE, pretendon se ministri Aliu është gjendur në “konflikt të pastër interesi”.

“Kjo është shkelje e premtimeve të LVV-së për mbështetje të institucioneve publike të arsimit të lartë dhe konflikt i pastër i interesit. Por, kjo është edhe test për Kryeministrin Albin Kurti”, tha Gashi.

Ministri Aliu njoftoi sot nënshkrimin e një marrëveshje mes Ministrisë së Mjedisit dhe Kolegjit UBT.

“Sot, nënshkruam marrëveshjen që përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kolegjit “UBT”, në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore, për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, hulumtime shkencore etj”, tha ai.

Ministri Aliu ka shërbyer si profesor në Kolegjin Privat UBT, bazuar në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Aliu ka përfituar pagë prej 1,128 eurove nga UBT. /Paparaci.com