Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s do të takohen në Oslo, ndërsa në takim do të diskutohet edhe për situatën në Kosovë. Tema e takimit është anëtarësimi i Suedisë në Aleancën Veriatlantike dhe ndihma për Ukrainën, shkruan Euraktiv, përcjellë GazetaBlic.
Mbledhja jozyrtare e ministrave të jashtëm të NATO-s në kryeqytetin norvegjez është e dyta e këtij lloji, pasi Gjermania e inicioi formatin vitin e kaluar në Berlin.
Edhe pse kjo temë zyrtarisht nuk është në rend dite, ministrat me gjasë do të prekin edhe situatën aktuale në Kosovë.
NATO ka vendosur të rrisë praninë e saj me 700 persona shtesë nga forca rezervë operacionale për Ballkanin Perëndimor të dislokuar në Kosovë si pjesë e forcës KFOR-it, tha dje në Oslo Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.
Stoltenberg shtoi se Aleanca gjithashtu vendosi “të vendosë një batalion shtesë të forcave rezervë në gatishmëri më të lartë, në mënyrë që ato të mund të dislokohen nëse është e nevojshme.
Kfor ishte në shënjestër të demonstruesve serbë në veri të Kosovës, pas përleshjeve që shpërthyen.
Stoltenberg “dënoi fuqishëm sulmet e paprovokuara ndaj trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat çuan në plagosjen e 30 paqeruajtësve”.


