Sporti

Minimizohen shanset e kualifikimit për Shqipërinë, fati në duart e polakëve

10/13/2021 08:57
nga:Mergim Rreci

Humbja me Poloninë e ka ndryshuar situatën në Grupin I për Shqipërinë, pasi shanset për të zënë vendin e dytë dhe për të mbajtur gjallë shpresën për të shkuar në Botërorin “Katar 2022” janë minimizuar.

Historia është përsëritur njëlloj si para 35 viteve, ku Polonia më 30 maj 1985 erdhi në Shqipëri dhe mundi si mbrëmë, me rezultatin 1-0, duke shuar asokohe ëndrrën për të shkuar në Botërorin e Meksikës.

Me humbjen e fundit, e cila ishte thuajse e paralajmëruar, për shkak të situatës së mungesave, kryesisht nga COVID-19, Polonia ka parakaluar në renditje Shqipërinë dhe tani kuqezinjtë nuk e kanë më në dorë fatin e tyre për të siguruar fazën “play off”, raund i cili zhvillohet mes 10 skuadrave më të mira në grupe dhe dy ekipeve që vijnë nga Liga e Kombeve.

Nëse deri para Polonisë, kuqezinjtë e kishin vetë fatij e tyre në dorë, tani llogaritë e Shqipërisë janë të varësi të ecurisë së Polonisë, kryesisht në ndeshjen e fundit, ku në shtëpi pret Hungarinë.